Iluzioni i rritjes ekonomike në një vend me konsum të përhershëm

Iluzioni i rritjes ekonomike në një vend me konsum të përhershëm

Rami Mislimi

Gjendja ekonomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës së fundit gjithnjë e më qartë tregon kufijtë e modelit që është praktikuar prej vitesh. Pavarësisht deklaratave të shpeshta për stabilizim, rritje dhe investime, ekonomia vazhdon të funksionojë brenda një logjike shpenzuese, me efekt të kufizuar zhvillimor dhe me rreziqe të shtuara makroekonomike. Struktura e buxhetit mbetet kryesisht e orientuar drejt shpenzimeve korrente paga, pensione, subvencione dhe transfere sociale а të cilat kanë rol social dhe politik, por jo fuqi thelbësore zhvillimore. Hapësira fiskale për politika që do të gjeneronin produktivitet dhe rritje afatgjatë mbetet e ngushtë dhe e pashfrytëzuar mjaftueshëm.

Edhe pse formalisht ekzistojnë shpenzime kapitale, efekti i tyre real ekonomik është i dobët. Investimet kapitale që nuk rrisin produktivitetin, nuk stimulojnë eksportin dhe nuk krijojnë kapacitete të reja industriale apo teknologjike, në thelb janë vazhdim i politikës shpenzuese. Projektet infrastrukturore pa lidhje të qartë ekonomike me industrinë, inovacionin, tranzicionin energjetik dhe kapitalin njerëzor nuk mund të krijojnë rritje të qëndrueshme të BPV-së. Në këto kushte, shpenzimet kapitale shndërrohen në barrë fiskale, e jo në motor të zhvillimit ekonomik.

Inflacioni, i cili në diskursin publik shpesh shpjegohet si fenomen i importuar i lidhur me goditjet globale energjetike dhe gjeopolitike, ka edhe një dimension të qartë të brendshëm. Rritja e pagave pa rritje përkatëse të produktivitetit, rritja e pensioneve dhe transfereve sociale pa reforma strukturore, si dhe oferta e kufizuar në tregun vendor krijojnë presion shtesë mbi çmimet. Kur konsumi rritet më shpejt se prodhimi, inflacioni bëhet i pashmangshëm dhe fuqia reale blerëse e qytetarëve gradualisht zvogëlohet. Nëse politika ekonomike vazhdon të fokusohet në stimulimin afatshkurtër të kërkesës, pa investime serioze në sektorë produktivë, rreziqet inflacioniste do të vazhdojnë edhe në vitin 2026.

Rritja e pagave, pensioneve dhe transfereve sociale shpesh paraqitet si fitore ekonomike, por në realitet bëhet fjalë për një strategji politikisht popullore, por ekonomikisht të rrezikshme, nëse nuk mbështetet me rritje të produktivitetit. Një qasje e tillë rrit kërkesën për produkte të importuara, thellon deficitin tregtar dhe krijon presion shtesë mbi çmimet. Në të njëjtën kohë, roli i Bankës Popullore mbetet i kufizuar në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, përmes një politike monetare restriktive dhe normave më të larta të interesit. Banka qendrore nuk mund ta zëvendësojë strategjinë ekonomike të Qeverisë, as të krijojë rritje pa disiplinë fiskale dhe reforma strukturore.

Në këtë kontekst, rruga evropiane nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri ekonomike. Bashkimi Evropian përfaqëson një platformë për qasje në fonde, programe strukturore dhe tregun e përbashkët, të cilat janë thelbësore për modernizimin e ekonomisë. Alternativat huatë bilaterale me kosto më të lartë dhe rritja e borxhit publik pa efekt zhvillimor janë të shtrenjta dhe të rrezikshme. Borxhi publik tashmë po shndërrohet gradualisht nga instrument në problem, veçanërisht kur përdoret për konsum korrent dhe jo për projekte që gjenerojnë të ardhura në të ardhmen. Maqedonia e Veriut nuk vuan nga mungesa e strategjive, por nga mungesa e një politike ekonomike konsistente dhe të guximshme. Ka ardhur koha që rritja ekonomike të ndërtohet mbi produktivitet, dije dhe stabilitet institucional, e jo mbi retorikë dhe ndërhyrje fiskale afatshkurtra.

MARKETING