“I jemi mirënjohës Parlamentit të Türkiye-s për miratimin e protokollit të anëtarësimit të Finlandës në NATO”
Ministria e Jashtme e Finlandës ndau mesazhin në turqisht “Teşekkürler” (Faleminderit) pasi Parlamenti i Türkiye-s miratoi protokollin për anëtarësimin e Finlandës në NATO, transmeton Anadolu.
Nga llogaria e saj në Twitter, ministria bëri një postim lidhur me procesin e anëtarësimit në NATO.
“Teşekkürler! Ne i jemi mirënjohës Parlamentit të Türkiye-s për vendimin e tij për miratimin e protokollit të anëtarësimit të Finlandës në NATO”, thuhet në postim.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto nga llogaria e tij në Twitter shkroi: “Sot kemi lënë pas një punë e cila zgjati më shumë se 10 muaj. Për anëtarësim në NATO aplikuam më 17 maj 2022. Miratimet e para erdhën nga Kanadaja dhe Danimarka. Hungaria duhet t‘i dorëzojë nesër Washingtonit miratimin e saj. Tani edhe Parlamenti turk dha vendimin e tij. Po jetojmë në ditë historike”.
Kujtojmë se Parlamenti turk mbrëmë miratoi protokollin për anëtarësimin e Finlandës në NATO. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s tashmë kanë miratuar anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake.