I dërguari amerikan në OKB: SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s

Ky inkursion erdhi pasi anëtarja tjetër e NATO-s, Polonia, tha më herët gjatë këtij muaji se dronë rusë kishin shkelur hapësirën e saj ajrore teksa po kryenin një sulm në Ukrainë. Varshava e cilësoi këtë “akt të agresionit”.
I pyetur nëse do të ndihmojë në mbrojtjen e shteteve të Bashkimit Evropian nëse Rusia intensifikon armiqësitë, Trump u tha gazetarëve: “Po, do t’i mbroj”.
Presidenti Trump ka bërë thirrje për paqe dhe i ka kërkuar homologut rus, Vladimir Putin, t’i japë fund luftës në Ukrainë, por Moska nuk ka dhënë sinjale se është e gatshme t’i bindet presionit amerikan.
“Në kohën kur presidenti Trump dhe SHBA-ja janë përqendruar dhe kanë shpenzuar shumë kohë e përpjekje që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund, ne presim që Rusia të gjejë mënyra për të ulur tensionet e jo të rrezikojë zgjerimin” e luftës, shtoi Waltz në fjalimin e tij të parë para Këshillit.
Përveç Polonisë dhe Estonisë, edhe Rumania më herët gjatë muajit ka raportuar se një dron rus ka shkelur hapësirën e saj ajrore. Fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po luan me zjarr me këto inkursione në hapësirën ajrore të NATO-s, teksa aleanca ka një pakt për mbrojtje kolektive./REL