Hungaria kërkon nga BE-ja ta klasifikojë grupin Antifa si organizatë terroriste

Hungaria i ka bërë thirrje BE-së të ndjekë SHBA-në në përcaktimin e grupit Antifa si një organizatë terroriste, duke përmendur një sërë incidentesh të dhunshme që dyshohet se lidhen me lëvizjen e ekstremit të majtë në të gjithë Evropën, transmeton Anadolu.
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Peter Szijjarto, tha në një letër drejtuar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, se Antifa përbën një “kërcënim të rëndë për sigurinë e qytetarëve të BE-së”.
“Individë dhe grupe të lidhura me të ashtuquajturën ideologji Antifa kanë kryer sulme të shumta terroriste në të gjithë BE-në, përfshirë në Gjermani, Francë dhe Itali”, shkroi ai.
Szijjarto kujtoi se në shkurt të vitit 2023, bashkëpunëtorët e grupit Antifa dyshohet se kryen pesë “sulme brutale” në mes të ditës në Budapest.
Ai u ankua se disa të dyshuar më vonë iu shmangën drejtësisë duke gjetur strehim në vendet anëtare të BE-së që refuzuan t’i ekstradonin, ndërsa një tjetër fitoi imunitet pasi u zgjodh në Parlamentin Evropian.
“Këto akte të tmerrshme ilustrojnë pa dyshim se lëvizja Antifa përbën një kërcënim të madh”, shtoi ai, duke theksuar nevojën për një përgjigje më të fortë kolektive të BE-së.
Ministri hungarez gjithashtu theksoi vendimin e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të klasifikuar Antifan si një “organizatë të madhe terroriste”.
Ai tha se Hungaria është e bindur se për një çështje kaq të rëndësishme, “bashkëpunimi me SHBA-në, aktori kryesor në botë në luftën kundër terrorizmit, është i domosdoshëm”.
Szijjarta i kërkoi BE-së të shtojë Antifan në listën e saj të organizatave terroriste dhe të vendosë masa kufizuese për individët dhe grupet e lidhura me të.