Hungaria kërcënon të bllokojë ndihmën e BE-së ndaj Ukrainës, Orban: Europa po shkon drejt rrënimit

Hungaria kërcënon të bllokojë ndihmën e BE-së ndaj Ukrainës, Orban: Europa po shkon drejt rrënimit

Hungaria po kërcënon të bllokojë dhjetëra miliarda dollarë ndihma të Bashkimit Europian për Ukrainën dhe ka thënë se do të përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar procesin për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Paralajmërimet vijnë në një kohë që marrëdhëniet mes Budapestit dhe Brukselit janë përkeqësuar. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Presidenti i Këshillit Evropian vizitoi të hënën Hungarinë në përpjekje për qetësim të raporteve ndërsa në dhjetor pritet të mbahet takimi i nivelit të lartë i Këshillit Europian.

Me afrimin e fushatës për zgjedhjet e ardhshme europiane që mbahen në qershor të vitit tjetër, qeveria hungareze ka ndërmarrë një sulm personal ndaj Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, duke vendosur tabela të mëdha reklamash ku ajo shfaqet në krah të Alex Sorosit, të birit të financierit liberal, me origjinë hungareze George Soros, një tjetër subjekt që goditet vazhdimisht. Në tabelë lexohet mbishkrimi “Të mos kërcejmë sipas ritmit të tyre”.

Kryeministri hugarez Viktor Orban përshkallëzoi sulmet ndaj Bashkimit Europian, gjatë një fjalimi në kongresin e partisë së tij, Fidesz, kohët e fundit.

“Jam i bindur se Brukseli, Europa po shkatërrohet. Po çohet drejt rrënimit”, tha kryeministri hungarez Viktor Orban.

 

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel zhvilloi të hënën një takim me kryeministrin Orban. Asnjë prej tyre nuk foli për mediat.

BE-ja po vazhdon të mbajë të bllokuar rreth 24 miliardë dollarë ndihma për Hungarinë, për shkak të shqetësimeve për pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit në këtë vend.

Në një letër drejtuar Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel javën e kaluar, kryeministri Orban, sipas njoftimeve, ka kërcënuar me bllokim të paketës së ndihmës së Bashkimit Europian për Ukrainën në vlerën e 50 miliardë dollarëve.

Ai po ashtu ai ka deklaruar se do të vendosë veton për të bllokuar anëtarësimin e Ukrainës në BE, në rast se udhëheqësit evropianë nuk bien dakord të rishikojnë plotësisht strategjinë e mbështetjes ndaj Kievit. Analistët thonë se një politikë e tillë mund të kthehet në bumerang.

“Orbani po vazhdon të izolohet brenda Bashkimit Europian dhe kjo shkakton vështirësi. Shkakton vështirësi jo vetëm në kuptimin simbolik, por edhe në aspektin ekonomik. Ekonomia hungareze nuk është në gjendje të mirë, mungesa e fondeve nga BE-ja, bllokimi i fondeve për shkak të shqetësimeve mbi sistemin e drejtësisë. Qëndrimi kundërshtues i qeverisë në konfliktin Rusi – Ukrainë dhe qëndrimet kritike ndaj BE-së, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin për bllokimin e fondeve”, thotë Peter Kreko nga instituti “Kapitali Politik”.

Javën e kaluar, Brukseli lëvroi një miliard dollarë nga fondet e ngrira në përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet e Hungarisë, por mbetet e paqartë nëse kjo do të mjaftojë.

Udhëheqësit e vendeve të BE-së do të takohen më 14 dhjetor për të diskutuar hapjen e bisedimeve për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në bllok.

Hungaria ka thënë se bisedimet nuk mund të zhvillohen për sa kohë vendi është në luftë dhe i ka bërë thirrje Kievit që të kërkojë negociata paqeje me Moskën. Ukraina ka deklaruar se nuk do fillojë negociata pa u larguar më parë trupat ruse nga territori i saj.

“Ukrainasit thjesht gjykojnë se Rusisë nuk mund t’i besohet. Prandaj e shohin anëtarësimin në BE dhe NATO si të vetmen garanci për siguri, jo thjesht për Ukrainën, por për paqe dhe siguri të qëndrueshme në Evropë”, thotë Olga Tokariuk nga instituti “Chatham House”.

Bllokimi i ndihmës së BE-së për Kievin, ose vendosja e vetos ndaj kërkesës së Ukrainës për anëtarësim, do të shtonte edhe më tej rrezikun për thellimin e mosmarrëveshjeve gjithnjë e më të ashpra mes Budapestit dhe Brukselit.

Analistët thonë se kryeministri Orban mund të nxitet edhe nga fitorja në zgjedhje e udhëheqësve me të njëjtat qëndrime në Sllovaki dhe Holandë, të cilët gjithashtu kanë shprehur skepticizëm mbi mbështetjen e BE-së për Ukrainën./ VOA

 

 

MARKETING