“Human Rights Watch”: Izraeli përdori fosfor të bardhë në Gaza dhe Liban

“Human Rights Watch”: Izraeli përdori fosfor të bardhë në Gaza dhe Liban

Organizata Human Rights Watch (HRW) tha se Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në operacionet e tij në Gaza dhe Liban, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga llogaria në platformën e medias sociale X, HRW ka deklaruar se “Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në operacionet e tij në Gaza dhe Liban, duke i vendosur civilët përballë me rrezikun e lëndimeve serioze dhe afatgjata”.

“Fosfori i bardhë shkakton djegie të padurueshme dhe mund të shkaktojë djegien e shtëpive. Përdorimi i fosforit të bardhë në rajonet ku popullata është e dendur është në kundërshtim me ligjin”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme palestineze në një deklaratë nga platforma e saj në median sociale X tha se “Pushtuesi izraelit përdor kundër palestinezëve fosfor të bardhë që është i ndaluar ndërkombëtarisht”.

Hezbollahu libanez njoftoi se ka vendosur në objektiv me raketa pozicionin ushtarak izraelit që ndodhet përballë zonës Dahayra në jug të kufirit.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare libaneze NNA, pak kohë pas lëshimit të raketës zona përreth Dahayra u vendos në objektiv me goditje artilerike, ndërsa zona përreth rajonit Yarin u vendos në objektiv me bombat fosfor.

Konflikti Izraeli-Palestinë

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit.

Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa, ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite, ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.300 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.300 të tjerë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 1.537 palestinezë, përfshirë 500 fëmijë dhe 276 gra ndërsa janë plagosur 6.612 të tjerë.

Në sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 36 palestinezë dhe janë plagosur rreth 650 të tjerë.

MARKETING