Hovenier: Vështirë të themi se jemi afër shtensionimit në veri, ka ende punë për zgjedhjet e reja
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi të martën se është e vështirë të thuhet se është afër depërshkallëzimi i situatës në veri, përkundër që një ditë më parë kryengociatori kosovar, Besnik Bislimi dhe emisari special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak potencuan se kanë arritur një pajtueshmëri për disa hapa fillestarë për arritjen e një zgjidhjeje në veri.
Megjithatë, ai nënvizoi nevojën që de-eskalimi i situatës në veri të ndodh sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
Përkitazi me këtë, ambasadori Hovenier, në një konferencë për medie, pas pjesëmarrjes në një aktivitet arsimor në Pejë, tha se pala kosovare duhet të pranojë planin trepikësh të BE-së për de-eskalim, derisa përsëriti nevojën për organizimin e zgjedhjeve te reja në veri.
Por theksoi se ka ende shumë punë për të bërë për t’u krijuar kushtet për zgjedhje të reja në veri.
“Gjithçka që mund të them është se nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara është shumë e rëndësishme, dhe mund ta përsëris atë që kemi thënë disa herë, që është shpresa për të parë një de-përshkallëzimin e plotë në veri. Ne duam të kthehemi në atë që është vërtet e rëndësishme, puna për të parë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët, dhe kjo do të thotë se ne duam të shmangim pika të tensionit apo kriza të reja që pengojnë përpjekjet tona për të parë zbatimin e kësaj marrëveshjeje vërtet të rëndësishme strategjike në të mirë të Kosovës, në dobi të sigurisë rajonale…
Por, ekziston gjithashtu nevoja për t’u kthyer në zgjedhje të reja për katër kryetarët e komunave dhe katër kuvendet komunale në veri, me pjesëmarrjen e plotë të komunitetit serb të Kosovës në veri… Ka ende shumë punë për t’u bërë, për të krijuar kushtet për zgjedhje të reja në veri, dhe kështu kam hezituar t’ju jap një afat, por sigurisht mendoj se kjo duhet të merret si çështje urgjente”, tha ai.
Krahas kësaj, ambasdori Hovenier u shpreh nuk mund të ndajnë përqindjen e përgjegjësisë për tensionet në veri, por tha se Qeveria e Kosovës me disa vendime i ka kontribuar përshkallëzimit të situatës atje.
Megjithatë, shtoi se edhe Serbia është përgjegjëse për tensionimin e situatës në veri.
“Ajo që do të thosha është se nuk jam i sigurt se po caktojmë përqindje të përgjegjësive për situatën në veri. Jam në dijeni në lidhje me shqetësimet tona për disa nga zgjedhjet e bëra nga Qeveria e Kosovës në fund të majit që mendojmë se kanë kontribuar shumë në përshkallëzimin e tensioneve në veri.
Unë nuk do të them se vetëm Kosova është përgjegjëse për situatën në veri, nuk është, dhe pjesë e bisedës sonë me Beogradin dhe me akterët e tjerë është se si të de-përshkallëzojmë situatën, por pyetja se cilat janë mjetet tona për të inkurajuar Beogradin të bëjë atë që duhet të bëjë është një pyetje për kolegun tim në Beograd dhe jo për mua”, tha ai.
Ai theksoi se Kosova mund të ushtrojë sovranitetin e plotë në tërë territorin e vendit, por veriu është më i komplikuar. Për atë, sipas tij, duhet një koordinim më i madh me partnerët ndërkombëtarë për të evituar tensionet atje.
“Unë do të them se Shtetet e Bashkuara mbeten po aq të përkushtuara sa kanë qenë ndonjëherë për ta parë Kosovën të arrijë objektivat e saj, dhe ajo që dua të them me këtë është se ne qëndrojmë të fortë, sapo thashë në komentet e mia më herët sot, pas një Kosove sovrane, të pavarur, demokratike, multietnike që zë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe ne po bëjmë shumë punë për ta çuar përpara.
Kjo do të thotë gjithashtu se Kosova përfundimisht do të ushtrojë sovranitetin e saj, veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe kështu mënyra se si Qeveria e Kosovës apo qeveritë e ardhshme të Kosovës e menaxhojnë situatën në veri, është diçka shumë e ndjeshme, dhe është diçka që ne duam të sigurojmë që të koordinohemi ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që të shmangim tensionet ose momentet e krizës që imponojnë punën tonë afatgjatë së bashku për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët se a do të merren masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë për mosrespektim të marrëveshjes bazë me Kosovën, ai tha se për këtë çështje mund të flet përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escboar.
“Unë jam ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, flas shumë për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës duke përfshirë pasojat për Kosovën apo mundësitë e fundit për Kosovën, apo mundësitë e arritura për Kosovën në lidhje me punën me partnerët e saj. Unë dhe preferoj ta mbaj kështu. Pra, pyetja se çfarë mund të bëjnë ose jo Shtetet e Bashkuara në lidhje me Serbinë, mendoj se është një pyetje që duhet drejtuar z. Escobarit, i cili është i dërguari special i SHBA-së për rajonin, ose ambasadorit Hill në Beograd”, deklaroi Hovenier.
Ndërkaq, sa i përket rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe javë më parë, ambasadori amerikan tha se i është gëzuar lirimit të tyre pa kushte, por nuk dha një qëndrim se a janë rrëmbyer ata brenda territorit të vendit.