Hovenier: Nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës dhe kërcënon sovranitetin dhe pavarësinë e saj

Hovenier: Nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës dhe kërcënon sovranitetin dhe pavarësinë e saj

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka dalë me një deklaratë pas takimit që kishte sot ku u diskutua rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Demokracia përfshirëse kërkon shkëmbim të ideve me respekt.  Ne e organizuam këtë diskutim me një sërë palësh të interesuara për të dëgjuar larminë e pikëpamjeve për këtë temë dhe për të kërkuar gjuhë të përbashkët, me qëllim të lehtësimit dhe avancimit të obligimeve që Qeveria e Kosovës i ka marrë për zbatimin e një AKShS-je”, ka deklaruar Hovenier.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Ambasada amerikane, bëhet e ditur se në këtë takim kanë dëgjuar drejtpërdrejtë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e një AKShS-je dhe si mund të arrihet kjo në mënyrë që të sigurojë të ardhmen e Kosovës si vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik.

“Këto perspektiva janë të rëndësishme për avancimin e përparimit të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Në mesin e pjesëmarrësve pati zyrtarë të qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, udhëheqës politikë dhe anëtarë të korpusit diplomatik.

Hovenier ka theksuar se “partneriteti ynë me Kosovën është i palëkundur”.

“Diskutimi ynë i sotshëm pasqyroi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës. Donim të kuptonim këndvështrimet e pjesëmarrësve për një AKShS: çka do të mund të ishte dhe si mund të ofrojë shërbime për qytetarët e Kosovës, por gjithashtu edhe çfarë kapacitetesh nuk mund dhe nuk do të duhej t’i ketë”, ka deklaruar Hovenier.

Sipas njoftimit thuhet se diskutimi u përqendrua në tri tema: një, si mund të funksionojë AKShS-ja në praktikë?

Pjesëmarrësit ngritën një varg temash, duke përfshirë pikëpamjet rreth përgjegjësive dhe kufizimeve të mundshme të një Asociacioni.

Dy, si mund të funksionojë një Asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës?

Dëgjuam këndvështrime për Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Tre, si mund një AKShS të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efikas të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë?

Dëgjuam pikëpamje se si një AKShS mund të ndihmojë në adresimin e çështjeve dhe nevojave që janë themelore për çfarëdo komuniteti, si për funksionet për cilat të gjitha komunat e Kosovës janë përgjegjëse, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe zhvillimi ekonomik lokal.

“Diskutimi i sotshëm pasqyron rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë i japin çështjes që Kosova të zbatojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Edhe pse disa zyrtarë të ShBA-së tashmë e kanë thënë këtë, dëshiroj që sërish të qartësoj sërish qëndrimin e Shteteve të Bashkuara.  Nuk mbështesim asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës.  Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”, ka deklaruar Hovenier.

Ambasadori ka shtuar se presin që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një AKShS që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.  Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente.  Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve”, u shpreh Hovenier.

Tutje ambasadori ka shtuar se shkëmbimi i sotshëm i ideve nxori në pah idetë e hisedarëve që janë thelbësore për të siguruar që një AKShS do të jetë përgjegjëse ndaj nevojave të komuniteteve, të cilave synohet t’ju shërbejë.

“Pjesëtarët e qeverisë tani kanë mundësi që të shqyrtojnë atë që u tha dhe t’i përfshijnë ato këndvështrime në punën e qeverisë për këtë çështje të rëndësishme.

Shpresojmë se diskutimi do të frymëzojë zotim të ri dhe përpjekje të ripërtërira për të punuar drejt krijimit të AKShS-së, që ne konsiderojmë se do të jetë kritik përderisa Kosova ndërton të ardhmen e saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik, demokratik dhe i pavarur që është plotësisht i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndajnë këtë vizion me popullin e Kosovës dhe do të vazhdojë të qëndrojë krah tij si mike dhe aleate”, tha Hovenier. /Telegrafi/

MARKETING