Hovenier: Autorët e krimit të tmerrshëm në Banjskë të mbahen përgjegjës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë thirrje të mbahen plotësisht përgjegjës autorës e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit një vit më parë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Hovenier ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjakun, për nder të njëvjetorit të rënies së tij gjatë detyrës zyrtare në Banjskë.
“Sot u bashkova me Qeverinë e Kosovës dhe kolegët diplomatikë për të nderuar kujtimin e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, sot një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.