Hoti: Po të vazhdonte qeveria ime, më 2021 do ta kishim përmbyllur marrëveshjen me Serbinë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se po të vazhdonte qeveria e tij, e cila u rrëzua pas një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese në fund të vitit 2020, procesi i dialogut me Serbinë do të përmbyllej në vitin 2021.
Deputeti i LDK-së tha se po të konsumohej procesi i dialogut nga ana e Kosovës, atëherë presioni ndërkombëtar do të binte mbi Serbinë.
“Po të vazhdonte ajo qeveri që ka qenë, jam i bindur që gjatë vitit 2021 do ta kishim përmbyllur marrëveshjen. Kemi qenë në një proces negociator me Serbinë për njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve. Jam i bindur se do të kishim ardhur në fund të procesit dialogut. Dialogu ka qenë i fokusuar në njohje reciproke, e tash e kemi të fokusuar në menaxhimin e situatës në veri dhe i fokusuar në themelimin e Asociacionit.
Po të vazhdonte ajo qeveri, jam i bindur se do të konsumohej procesi i dialogut. Nuk jam i sigurt nëse Serbia do të pranonte që të përmbyllej marrëveshja me njohje reciproke, por për një gjë jam i sigurt: në bashkëpunim me aleatët ne do të konsumonim procesin e dialogut, dhe pastaj presioni i aleatëve do të shtrihej tek Serbia për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën”, theksoi ish-kryeministri Hoti.