Holanda shpall non grata ministrat izraelitë Ben-Gvir dhe Smotrich

Holanda shpall non grata ministrat izraelitë Ben-Gvir dhe Smotrich

Holanda ka ndaluar hyrjen në vend të ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, duke i shpallur persona non grata për thirrjet e tyre për “spastrim etnik” në Rripin e Gazës, raportojnë mediat holandeze.

Në përgjigje të një pyetjeje parlamentare, ministri i Jashtëm holandez Caspar Veldkamp justifikoi ndalimin të hënën vonë, duke thënë se dy ministrat izraelitë “kanë nxitur në mënyrë të përsëritur dhunën ndaj popullsisë palestineze, kanë promovuar vazhdimisht zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme dhe kanë bërë thirrje për spastrim etnik në Rripin e Gazës.”

Qeveria holandeze, në një letër të publikuar të hënën, tha gjithashtu se do të thërrasë ambasadorin izraelit për të dënuar situatën “të padurueshme dhe të pambrojtshme” në Gaza.

“Edhe nëse më ndalojnë në gjithë Evropën, unë do të vazhdoj të punoj për vendin tonë dhe të kërkoj që ta rrëzojmë Hamasin dhe t’i mbështesim luftëtarët tanë,” tha Ben-Gvir në platformën X.

Ndërkohë, kryeministri holandez Dick Schoof tha se qeveria e tij “po shqyrton marrjen e masave kombëtare” ndaj Izraelit dhe është e gatshme të mbështesë pezullimin e pjesëmarrjes së tij në programin kërkimor të BE-së “Horizon” nëse Brukseli vlerëson se Izraeli po pengon qasjen e ndihmave humanitare në Gaza.

Ndërsa Ben-Gvir ka kërkuar një “rrethim të plotë”, duke bllokuar ndihmat dhe duke deklaruar se “nuk ka civilë të painvolvuar në Gaza”, Smotrich ka bërë thirrje për rikthimin e pushtimit të Gazës dhe zvogëlimin e popullsisë palestineze, duke thënë se Izraeli “duhet të ndalojë së frikuari nga fjala pushtim.” Retorika e tyre është dënuar gjerësisht si nxitje për dhunë dhe gjenocid.

Izraeli ka vendosur një bllokadë mbi Gazën për 18 vite dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha pikat kufitare, duke bllokuar shumicën e karvanëve të ndihmave. Fondacioni kontrovers “Gaza Humanitarian Foundation” filloi shpërndarjen e ndihmave në fund të majit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 88 fëmijë.

Izraeli ka vrarë gati 60.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga tetori 2023.

Në nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

MARKETING