Historike: BE i jep dritën e gjelbër Shqipërisë për hapjen e Grupkapitullit të fundit

Shqipëria ka arritur një tjetër moment historik, në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, ka dhënë miratimin për të vijuar negociatat me vendin tonë për Grupkapitullin 5, që përfshijnë: Burimet, Bujqësinë dhe Politikat e Kohezionit.
Ky lajm madhështor, u dha nga kryeministri Edi Rama.
Rama deklaroi se Presidenca Daneze e BE-së është autorizuar tashmë të ftojë zyrtarisht Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues mbi këtë grupkapitull.
“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të BE-së autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat mbi Grupkapitullin 5″, tha Rama transmeton Klankosova.tv.
Grupkapitualli në fjalë përbëhet nga sektorë me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si bujqësia, zhvillimi rural, menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe politikat e kohezionit territorial dhe rajonal, të cilat janë themelore për përafrimin me standardet e BE-së dhe për përfitimin e fondeve europiane në mënyrë efikase dhe të drejtë.
Ajo që e bën këtë hap edhe më të rëndësishëm është fakti se Grupkapitulli 5 është kapitulli i fundit i negociatave, duke i hapur rrugë përmbylljes së fazës së hapjes së të gjithë kapitujve teknikë.
Kjo do të thotë se procesi i negociatave hyrëse për secilin grup tematik tashmë është i plotë, dhe Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për të kaluar në fazën përfundimtare të përmbylljes së kapitujve dhe përgatitjes për anëtarësim të plotë.