Hira Fidani, kampione e RMV-së në kategorinë -54 kg, vitin e ardhshëm pjesë e Europianit në Qipro
Vendi ynë gjithnjë ka prodhuar sportistë që kanë lënë gjurmë, sidomos në sportet luftarake. Boksierë, xhudistë, karateistë, kik-bokiserë, por edhe në sportet tjetra luftarake, sportistët nga vendi ynë kanë dëshmuar veten në tapetet e “nxehta”, madje edhe ato evropiane.
Rrugës drejt garave europiane është edhe karateistja shkupjane, Hira Fidani, para së cilës është një e ardhme e ndritur.
14-vjeçarja, pjesë e KK Olimpik, fundjavën e kaluar u shpall kampione shtetërore në kategorinë -54 kg, duke fituar kështu normën për të marrë pjesë në Europianin e vitit 2026.
Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për garuesen e KK Olimpik, e cila hapat e parë i kishte bërë në KK “Eldi Kan”, edhe atë që në moshë 9-vjeçare.
“Me sportin e karatesë kam filluar të merrem që në moshën 9-vjeçare. Klubi im i parë ka qenë ‘Eldi Kan’. Aty qëndrova për një vit të plotë. Ëndërrat e mia gjithnjë kanë qenë që të luftojë në kumite, pasi si ëndërr i kisha luftërat individuale. Kështu, vendosa që të transferohem te KK ‘Keiks’, me të cilin klub fillova të garojë edhe në kampionatet shtetërore. Brenda dy viteve te ky klub morra pjesë në shumë gara kampionale, por edhe ndërkombëtare” – u shpreh fillimisht Hira Fidani.
Me kalimin e kohës ambiciet e Hirës vetëm sa vinin e shtoheshin, ashtu që e njëjta, gjithnjë në konsultim me prindërit e saj vendosi që së fundmi ti bashkohet KK-Olimpik 2007. Dhe ky vendim i përbashkët doli të jetë i drejtë, kjo pasi Hira si pjesë e këtij klubi arriti që për herë të parë të shpallet kampione shtetërore në kategorinë -54 kg.
“Pas shumë stërvitjeve nën urdhërat e trajnerit Aleksandar Kuzmanovski, por edhe stërvitjeve individuale të shtunën e kaluar (15.11) i’a arrita qëllimit që të shpallem kampione shtetërore. Për këtë falënderoj tej mase trajnerin tim, që ishte më i merituari për këtë sukses.” – deklaroi Hira, e cila ishte e pamëshirshme ndaj kundërshtareve të saj.
Ajo fitoi plotë 5 luftëra, për tu stolisur me titullin kampione e shtetit, duke fituar në këtë mënyrë të drejtën për të garuar për herë të parë në karrierën e saj edhe në një kampionat Europian.
“Jam tepër e lumtur për këtë arritje. Ishte ëndërr e imja që nga fëmijëria për të marrë pjesë në një kampionat europian. Deri atëherë kemi para vetes gati 3 muaj për tu përgatitur, ashtu që besoj se do të jap më të mirën për të arritur sukseset e mia të para edhe nga evente të tilla, me shpresë dhe synim, që në të ardhmen do të arrijë të jem edhe pjesë e Kampionateve Botërore” – përfundoi intervistën e saj ekskluzive për ‘infOSport.mk’, Hira Fidani, që po shijon medaljen e arit dhe epitetin e kampiones shtetërore.
Ndryshe, Kampionati Europian i karatesë, në të cilin do të marrë pjesë edhe Hira, vitin e ardhshëm do të mbahet në Qipro nga data 6 deri me 8 shkurt.
Shpresojmë, që Hira edhe nga atje të na gëzojë me lajme të mira, me shpresë se Europiani në Qipro do të jetë vetëm stacioni i saj i parë nga shumë stacione të tjera europiane dhe botërore.




