Haxhiu: Gjykata Kushtetuese i ka grabitur kompetencat Kuvendit

Haxhiu: Gjykata Kushtetuese i ka grabitur kompetencat Kuvendit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, ka deklaruar se Kushtetuta nuk lejon që një deputet të jetë subjekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas saj, Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësime vetëm për Presidentin e vendit dhe të trajtojë aktet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por jo raste të veçanta që lidhen me një individ, si në këtë rast kryesuesin e seancës konstituive.

Haxhiu ka theksuar se vendimi i fundit i Gjykatës, që procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të hapur dhe që një kandidat mund të votohet vetëm tre herë, bie ndesh me udhëzimin e saj të parafundit, ku ishte thënë se Kushtetuta nuk përcakton nëse votimi për kryetar të Kuvendit duhet të jetë i hapur apo i fshehtë, duke ia lënë këtë vendim vullnetit të deputetëve.

“Pyetja është: prej nga e merr këtë të drejtë Gjykata Kushtetuese? Vetëm deputetët kanë kompetencën të vendosin nëse votimi do të jetë i hapur apo i fshehtë. Kushtetuta nuk e parasheh këtë. Në këtë rast, Gjykata ia ka grabitur kompetencat kushtetuese Kuvendit të Kosovës”, deklaroi ajo.

MARKETING