Haradinaj paralajmëron mundësinë e zgjedhjeve parlamentare në dhjetor

Haradinaj paralajmëron mundësinë e zgjedhjeve parlamentare në dhjetor

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se në dhjetor të këtij viti mund të mbahen zgjedhjet parlamentare.

Deklarata u bë gjatë një adresimi drejtuar diasporës në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

“Më 9 nëntor mbahen zgjedhjet në balotazh për komunat e Kosovës. Mos e neglizhoni rëndësinë e ditës së balotazhit, votoni prej atje nëse mundeni, komunikoni me familjet dhe të njohurit tuaj në Kosovë, apo ejani edhe njëherë e votoni në Kosovë. Në dhjetor mund të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.”

Sipas rezultateve të fundit, AAK-ja ka fituar një komunë pa balotazh, ndërsa në pesë të tjera do të garojë në raundin e dytë.

Në Deçan partia korri fitore direkt, ndërsa balotazhi pritet në Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë dhe Junik.

Haradinaj ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në votim, duke bërë thirrje të veçanta për diasporën.

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, më 10 tetor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, me vetëm 48 ulëse të fituara, Vetëvendosjes i nevojiten edhe 13 për të siguruar shumicën prej 61 deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Kurti paralajmëroi se, gjatë kësaj jave, do t’i nisë bisedimet për krijimin e Qeverisë, por nuk dha detaje se me cilat parti do të zhvillohen këto diskutime.

Pak ditë më parë, bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, përjashtoi mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Listën Serbe – partinë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë – por e la të hapur mundësinë për bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës.Albin Kurti ka afat deri më 26 tetor për të siguruar 61 vota në Kuvend dhe për të propozuar përbërjen e Qeverisë së re.

Analistët vlerësojnë se Vetëvendosja mund të arrijë marrëveshje me LDK-në për formimin e Qeverisë, duke parë rezultatet e ngushta në zgjedhjet lokale dhe interesin e përbashkët për të shmangur zgjedhjet e reja.

Posti i presidentit, që mbetet vakant në prill kur i skadon mandati Vjosa Osmanit, shihet po ashtu si pjesë e kalkulimeve politike.

 

MARKETING