Haradinaj kërkon shkarkimin e Kurtit: Është në rrugë të gabuar
Opozita në Kosovë lëshoi një lum kritikash në drejtim të qeverisë së Albin Kurtit, lidhur me politikat e brendshme, por edhe për dialogun me Serbinë. Shumë prej tyre kërkuan rrëzimin e kabinetit qeveritar.
“Dialogu edhe qeverisja në Kosovë janë në rrugë të gabuar. Rrugë e cila po i shkakton humbje, po i sjell goditje Kosovës. Janë të shumta, i keni dëshmuar shumë prej jush, i thonë mediat, por na i thonë edhe aleatët tanë. Besoj që ne si parlament duhet t’i marrim përgjegjësitë, parlamenti e ka votuar këtë qeveri, qytetarët dhe ne që ja kemi dhënë besimin qeverisë Kurti iu lus ta shqyrtoni a është në rregull të vazhdohet edhe një drejtim çfarë e kemi në vend, apo të gjithë ne ta ndihmojmë Kosovën, ta ndihmojmë Kurtin me mocion, ta shkarkojmë Qeverinë Kurti”, tha Ramush Haradina.
Të njëjtin mendim ndau dhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Produkt i kësaj qeverisje është bashkëpunimi i ngushtë me njeriun i cili ndiqet nga institucionet ligjzbatuese në Republikën e Kosovës. Është bashkëpunimi me Milan Radojiçiqin, i cili njëhersh është edhe në listën e zezë të SHBA-ve dhe të Mbretërisë së Bashkuar, nga i cili kërkohet mbështetja e mazhorancës, për njërin nga gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese, e që fatmirësisht nuk e lejuam ne deputetët e opozitës”, tha Tahiri.
Teksa deputeti i LDK, Selmanaj përsëriti tezën se ekonomia e Kosovës është dëmtuar rëndë si pasojë e sanksioneve të vendosura për shkak të qeverisë Kurti.
“Edhe sa ditë na duhen neve që ekonomia e Kosovës të demolohet, të gjunjëzohet nga sanksionet kundër Kosovës. Ajo çka është e konfirmuar është që kjo logjikë qeverisëse po punon kundër interesave kombëtare të Kosovës. Çdo shpjegim tjetër nuk ka vend. Sot po ashtu ndodhë një takim në Bruksel mes kryeministrit tonë Kurti dhe presidentit Vuçiç, më thoni ju a e dini kush agjendën se për çfarë takohen këta dy njerëz? Më thoni ju mua a e keni idenë ju më të vogël se cila është tema që do ta diskutojnë këta… Ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim? Përgjigja është që me koordinim me Kuvendin e Kosovës dhe me forcat politike në Kosovë jo. Në koordinim me kë?”, përfundoi Selmanaj.