Haradinaj i reagon Abdixhikut: Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir

Haradinaj i reagon Abdixhikut: Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për bllokadë institucionale.

Ai tha se për dallim nga AAK, Lumir Abdixhiku dhe mbështetësit e tij janë “betonuar” në qëndrimin e bllokadës.

“Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende”.
“Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir”.

Ai kujtoi se AAK ka vepruar me përgjegjësi, duke dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe duke mbështetur modelin e daljes nga bllokada.

“Kjo ishte përgjegjësia jonë kryesore dhe e kemi përmbushur,” tha Haradinaj.

Më herët, Abdixhiku, tha se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e një skenari që sipas tij përfaqëson degradimin e vlerave politike.

“Natyrisht se LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin. Natyrisht se LDK-ja nuk ka votë promovuesi vulgar të urrejtjes, ndarjes e propagandës – në nivelet më të larta institucionale. Besojmë se përfaqësimi politik duhet të jetë fisnik; shembull për qytetarinë e Republikës më të re në Evropë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai kujtoi se akademik Idriz Ajeti ka qenë kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës, duke e krahasuar atë periudhë me situatën aktuale, ku sipas tij “73 deputetët e Kuvendit shpërfaqën më së miri rrënimin vleror që po i ndodh shoqërisë nga popullizmi”.

Kreu i LDK-së uroi që votuesit e partisë më të madhe në Kuvend të kuptojnë, siç tha ai, se ku ka përfunduar vullneti i tyre politik.

“Ne refuzojmë të përfaqësojmë këtë mendësi. Siç dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e cirkut votues për nënkryetarët minoritarë. Kanë marrë drejtimin e Kuvendit drejt theqafjes jokushtetuese. Le t’i japin zgjidhje krizave që i shkaktojnë qëllimisht, përfshirë dhe precedaneve të rrezikshme bllokuese nga Serbia në të ardhmen. Ky s’është drejtimi ynë!”, tha ai.

Në fund, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve për bashkim rreth LDK-së, duke e cilësuar atë si adresë të përfaqësimit me dinjitet dhe konstitucionalizëm.

“Sot, më shumë se kurrë, shtroj dorën e afrimit me secilin qytetar në vend që nuk ndihet i përfaqësuar me këtë politikë. Le të bashkohemi rreth ëndrrave normale në një Republikë normale!”, përfundoi Abdixhiku./Telegrafi/

MARKETING