Hamasi thotë se ka marrë garanci se lufta në Gaza “ka mbaruar plotësisht”

Hamasi thotë se ka marrë garanci se lufta në Gaza “ka mbaruar plotësisht”

Hamasi tha se ka marrë garanci nga ndërmjetësit dhe SHBA-ja se lufta izraelite në Rripin e Gazës ka “përfunduar plotësisht”, transmeton Anadolu.

Në një fjalim të pararegjistruar, udhëheqësi i Hamasit Khalil al-Hayya njoftoi një marrëveshje armëpushimi me Izraelin dhe përshkroi hapat e menjëhershëm, duke përfshirë tërheqjen e forcave izraelite, rihapjen e pikës kufitare Rafah dhe hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza.

Ai tha se marrëveshja përfshin gjithashtu një lirim të madh të të burgosurve, me 250 palestinezë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm në burgjet izraelite dhe 1.700 të tjerë të arrestuar pas 7 tetorit 2023, përveç të gjithë fëmijëve dhe grave të paraburgosura.

“Ne kemi marrë garanci nga vëllezërit tanë ndërmjetësues dhe administrata amerikane, të gjithë duke konfirmuar se lufta ka përfunduar plotësisht”, tha al-Hayya.

Ai tha se Hamasi do të vazhdojë të koordinohet me fraksionet kombëtare dhe islame për të zbatuar hapat e mbetur, për të mbrojtur interesat palestineze dhe për të ndjekur vetëvendosjen dhe krijimin e një shteti të pavarur me Kudsin si kryeqytet.

Më 29 shtator, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi një plan armëpushimi me 20 pika për Gazën, që përfshin lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.

Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit. Po ashtu, plani parashikon financim arab e islam për administratën e re dhe rindërtimin e Rripit, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.

Ndërsa shumica e vendeve arabe dhe myslimane e kanë mirëpritur planin, disa zyrtarë kanë deklaruar se shumë detaje në të kërkojnë diskutim dhe negociata për t’u zbatuar plotësisht.

MARKETING