Hamasi pranon ide të reja për armëpushim në Gaza, kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit

Hamasi pranon ide të reja për armëpushim në Gaza, kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit

Hamasi njoftoi se ka marrë “disa ide” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nëpërmjet Katarit dhe Egjiptit në lidhje me një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe se ka mirëpritur çdo hap që do të ndihmojë në përfundimin e sulmeve gati dyvjeçare të Izraelit në Gaza.

Në një deklaratë të bërë nga Hamasi thuhet se “Ne kemi marrë disa ide nga ShBA-ja nëpërmjet ndërmjetësve (Katari dhe Egjipti) në lidhje me një marrëveshje armëpushimi”.

Deklarata thekson se “është i mirëpritur çdo hap” që do të kontribuojë në përpjekjet për t’i dhënë fund sulmeve gati dyvjeçare të Izraelit në Gaza.

Në deklaratën thuhet se Hamasi është gati të takohet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të diskutuar lirimin e pengjeve izraelitë në Gaza. Gjithashtu tërhiqet vëmendja se në këmbim të kësaj “duhet të njoftohet në mënyrë të hapur përfundimi i luftës, Izraeli duhet të tërhiqet plotësisht nga Gaza dhe një komitet i përbërë nga palestinezë të pavarur duhet të krijohet menjëherë për të qeverisur Gazën”.

Po ashtu në deklaratë bëhet e ditur gjithashtu se Izraeli duhet t’i përmbahet qartë marrëveshjes dhe të sigurojë që përvojat e mëparshme të mos përsëriten.

Rikujtohet se Hamasi pranoi propozimin për armëpushim, të përcjellë më 18 gusht nga ndërmjetësuesit dhe të bazuar në propozimin e ShBA-së, por që Izraeli nuk ka dhënë përgjigje ndaj propozimit.

Pasi vihen në dukje idetë e marra nga ShBA-ja, në deklaratë thuhet: “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësit për t’i transformuar këto ide në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përmbush nevojat e popullit tonë”.

Lidhur me armëpushimin në Gaza, Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, është shprehur se “Izraelitët i kanë pranuar kushtet e mia dhe është koha që edhe Hamasi t’i pranojë ato”.

Stacioni televiziv shtetëror izraelit KAN raportoi se propozimi i ri i Trumpit, i cili “përmban ndryshime themelore krahasuar me propozimet e mëparshme, përfshin kushte të tilla si dorëzimi i të gjithë 48 pengjeve izraelitë, të gjallë dhe të vdekur, ndërprerja e Operacionit ‘Karrocat e Gideonit II’ i cili synon pushtimin e Qytetit të Gazës, dhe nisja e menjëhershme e një procesi negociues të udhëhequr nga Trump në këmbim të përfundimit të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës”.

Aktivisti izraelit Gershon Baskin i përcolli Hamasit ofertën e re të Washingtonit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse armëpushimi, të sjellë nga Steve Witkoff, Përfaqësuesi Special i Presidentit të ShBA-së Donald Trump.

Baskin, një aktivist izraelit, ndërmjetësoi midis Hamasit dhe Tel Avivit në negociatat për lirimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit, i cili u kap nga grupet palestineze të rezistencës në vitin 2006.

Të paktën 64.400 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e Izraelit e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhra arresti për Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.

MARKETING