Hamasi: Mbi 270 palestinezë të vrarë nga Izraeli që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Gaza

Hamasi: Mbi 270 palestinezë të vrarë nga Izraeli që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Gaza

Hamasi e akuzoi sot Izraelin për vrasjen e 271 palestinezëve që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza muajin e kaluar, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, grupi palestinez tha se ka “respektuar plotësisht dhe me besnikëri” marrëveshjen e armëpushimit, pavarësisht shkeljeve të përsëritura nga Izraeli.

Ai shtoi se ka dorëzuar 20 pengje izraelite të gjalla dhe trupat e 24 të tjerëve nga 28 gjithsej, siç parashikohej në marrëveshje, “pavarësisht shkatërrimit të gjerë, mungesës së pajisjeve dhe rënies dëshmorë të disa luftëtarëve të rezistencës”.

Sipas Hamasit, 39 gra, 107 fëmijë dhe nëntë të moshuar janë në mesin e 271 palestinezëve të vrarë nga Izraeli që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor. Po ashtu, 622 persona të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit, përfshirë 137 gra dhe 221 fëmijë.

“Kjo tregon natyrën hakmarrëse dhe sistematike të sulmeve të pushtimit (izraelit)”, tha grupi.

Sipas Hamasit, ushtria izraelite gjithashtu ka ndaluar 35 palestinezë, përfshirë peshkatarë dhe civilë, nga të cilët 29 mbeten ende në paraburgim.

“Ushtria izraelite vazhdon të shembë shtëpi çdo ditë dhe në mënyrë sistematike brenda zonave të kontrolluara nga Izraeli në Gaza”, shtoi Hamasi.

Grupi theksoi se Izraeli vazhdon të mbajë të mbyllur pikëkalimin Zikim – një rrugë kryesore hyrëse për ndihma nga Jordania – dhe kufizon hyrjen e mallrave thelbësorë dhe të makinerive të rënda të nevojshme për pastrimin e rrënojave.

Hamasi tha gjithashtu se ushtria izraelite mban të mbyllur pikëkalimin Rafah me Egjiptin në të dy drejtimet, pavarësisht premtimeve për ta rihapur atë sipas marrëveshjes së armëpushimit, duke përkeqësuar kushtet humanitare për popullsinë e Gazës.

Grupi u bëri thirrje ndërmjetësve dhe garantuesve të marrëveshjes së armëpushimit të veprojnë për ta detyruar Izraelin të zbatojë plotësisht marrëveshjen, të sigurojë ndërprerjen e menjëhershme të vrasjeve dhe të tërheqë trupat përgjatë vijës së përkohshme të rënë dakord.

Faza e parë e marrëveshjes përfshinte lirimin e robërve izraelitë në këmbim të robërve palestinezë të mbajtur nga Izraeli. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale e Izraelit ka vrarë më shumë se 69.000 njerëz dhe ka plagosur mbi 170.600 të tjerë.

MARKETING