Hakmarrje për shkak të kufizimeve të Covid, Kina bllokon vizat për Korenë e Jugut dhe Japoninë

Hakmarrje për shkak të kufizimeve të Covid, Kina bllokon vizat për Korenë e Jugut dhe Japoninë

Administrata e Pekinit njoftoi se ka pezulluar lëshimin e vizave për qytetarët e Koresë së Jugut dhe Japonisë në përgjigje të masave të COVID-19 të aplikuara nga këta shtete për udhëtarët nga Kina, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Ambasada e Kinës në Korenë e Jugut, thuhet se janë pezulluar aplikimet për viza për biznes, turizëm, shëndetësi, tranzit si dhe për çështje të përgjithshme dhe private. Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë për shkak të “kufizimeve diskriminuese nga Koreja e Jugut”.

Duke cituar burime nga industria e turizmit, agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo” raportoi se Kina gjithashtu ndaloi lëshimin e vizave për qytetarët japonezë. Në lajm u tha se Ambasada e Kinës në Japoni nuk pranoi asnjë aplikim për vizë, pasi qeveria e Japonisë njoftoi masat për udhëtarët kinezë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut u shpreh se janë “të pikëlluar” nga vendimi i Kinës dhe tha se, “Vendimi i qeverisë për të forcuar masat e karantinës bazohet në arsye shkencore dhe objektive. Ne do të përcjellim edhe një herë qëndrimin e qeverisë sonë duke mbajtur afër komunikimin me palën kineze”.

Në një telefonatë me homologun e tij të Koresë së Jugut, Park Jin, ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, shprehu shqetësimet e tij për masat kufitare të zbatuara nga Seuli dhe deklaroi se ata shpresojnë se qeveria do të “ndjek një qëndrim objektiv dhe shkencor”. Ministri Gang gjatë bisedës nuk përmendi se do të pezullohen vizat.

Koreja e Jugut dhe Japonia ishin ndër vendet që njoftuan se do të merrnin masa paraprake për pasagjerët që vijnë nga Kina pasi Kina njoftoi se do të hapte kufijtë e saj nga 8 janari.

Koreja e Jugut ka ndaluar lëshimin e vizave me qëndrim të shkurtër për qytetarët kinezë deri më 31 janar, ndërsa u kërkon udhëtarëve nga Kina të bëjnë teste PCR para udhëtimit dhe pas mbërritjes.

Japonia gjithashtu vendosi testim të detyrueshëm për pasagjerët kinezë dhe pezulloi fluturimet në disa qytete.

Pasi shumë vende njoftuan masat e tyre për udhëtarët nga Kina dhe rajonet e saj, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha se disa nga masat e marra ishin “disproporcionale” dhe “të papranueshme” dhe u përdorën për qëllime politike dhe diskriminuese.

MARKETING