Hajrullahi me padi penale kundër kryeprokurorit Kocevski dhe disa prokurorëve të tjerë

Ish shefi i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, Mustafa Hajrullahi, njoftoi se ka parashtruar kallëzim penal kundër kryeprokurorit Lupço Kocevski, ndaj prokurorëve Tatjana Kacarova dhe Risto Bojaxhiski, si dhe ndaj anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Ermon Neziri.
Kallëzimi është për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar. Ky hap i Hajrullahit vjen pasi ai u pezullua nga detyra dhe në një konferencë për media ka akuzuar se kallëzimi penal kundër tij nga kryeprokurori ka tendencë për ta larguar dhe heshtur, si dhe për të frikësuar edhe kolegët e tjerë që veprojnë në përputhje me Ligjin, dhe të gjitha me qëllim, siç tha ai, për të marrë vendime të urdhëruara.
Vendimi për suspendimin e Hajrullahit erdhi pasi Prokuroria Publike Shtip kishte lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj tij, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të vazhdueshme “ngacmimi gjatë kryerjes së detyrës” si dhe vazhdimi i veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.