Guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë: Siria nuk do të marrë hua nga jashtë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë, Abdul Qader Husariya, deklaroi të premten se vendi nuk do të marrë hua nga jashtë.
“Siria, me urdhër të Presidentit Ahmad al-Sharaa, nuk do të kërkojë borxhe të jashtme dhe nuk do të marrë hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore”, tha ai në një deklaratë të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA.
Husariya theksoi se kursi i këmbimit i paundit sirian është përmirësuar me 30% që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024.
Ai sqaroi se nuk ka asnjë plan për ta lidhur paundin sirian me dollarin amerikan apo euron, dhe se qeveria synon të ndërtojë një ekonomi të shëndetshme të bazuar në prodhim dhe eksport, pa u mbështetur në norma të larta interesi apo stimuj të rrezikshëm investimi.
Sipas tij, ambienti i investimeve tani është i përshtatshëm për të siguruar kthime të qëndrueshme për investitorët, pasi ekonomia siriane ka hyrë, për herë të parë në shtatë dekada, në një fazë të rikuperimit të plotë të aktivitetit ekonomik në të gjitha sektorët.
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi më 30 qershor një urdhër ekzekutiv për të hequr sanksionet ndaj Sirisë, pas rrëzimit të regjimit të Assadit që për vite të tëra kishte shtypur protestuesit e vitit 2011.
Vendimi amerikan u pasua nga masa të ngjashme nga Evropa, të cilat rikthyen besimin në ekonominë siriane dhe dhanë një shtysë të fortë për rimëkëmbjen.
Në kuadër të ristrukturimit të sistemit ekonomik, Husariya njoftoi se do të themelohen institucione sigurimi të depozitave në bankat siriane, si edhe bëri të ditur se zhdukja e spekulimeve mbi kursin e këmbimit të paundit sirian pritet të ndodhë brenda disa muajve, duke arritur një kurs të unifikuar.
Do të ofrohen kredi hipotekare për sirianët që jetojnë jashtë vendit.
“Siria ka hyrë në një fazë të re të hapjes monetare dhe bankare, paralelisht me fundin e izolimit disadekadësh të sektorit bankar”, shtoi ai.
Në qershor, Siria realizoi për herë të parë pas 13 vitesh një transferte ndërkombëtare direkte bankare nga një bankë vendase drejt një banke italiane përmes sistemit SWIFT, si pjesë e lehtësimeve të vendimeve evropiane dhe amerikane për heqjen e pengesave financiare.
Pas gati 25 vitesh në pushtet, Bashar al-Assad iku drejt Rusisë në dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që kishte sunduar Sirinë që nga viti 1963.
Në janar, u formua një administratë e re tranzitore e udhëhequr nga Ahmad al-Sharaa.