Grenlanda shprehet e gatshme të bashkëpunojë me Trump-in

Grenlanda shprehet e gatshme të bashkëpunojë me Trump-in

Kryeministri i Grenlandës tha se vendi i tij është gati të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në nën udhëheqjen e presidentit të zgjedhur Donald Trump, transmeton Anadolu.

“Ne i kemi dyert e hapura në lidhje me minierat. Kështu do të jetë edhe në vitet e ardhshme. Ne duhet të tregtojmë me SHBA-në”, tha Mute B. Egede për transmetuesin lokal KNR, duke shtuar:

“Ne kemi filluar një dialog dhe kërkojmë mundësi për bashkëpunim me Trump-in”.

Egede pranoi se më shumë vende do të përpiqen të bashkëpunojnë me Grenlandën në vitet e ardhshme për shkak të pozicionit të saj të rëndësishëm gjeostrategjik.

“Është e rëndësishme që të mos ketë konflikt ushtarak. Ishte shqetësuese kur e dëgjuat për herë të parë. Por zv.presidenti deklaroi dje se nuk ka interes për përdorimin e armëve”, tha ai, duke iu referuar zv.presidenti i zgjedhur i SHBA-së, James David Vance, i cili hodhi poshtë përdorimin e forcës ushtarake dhe theksoi rëndësinë strategjike dhe burimet e pasura të Grenlandës teksa fliste për Fox News të dielën.

“Grenlanda ka një pozicion qendror në Arktik dhe fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina do të përpiqen të jenë të inkuadruara”, shtoi Egede.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim më të gjerë mes tensioneve në skenën globale.

“Grenlanda nuk është plotësisht e liruar nga tensionet që ekzistojnë në botë. Dhe pikërisht tani, Grenlanda qëndron mes dy kombeve Arktike të mëdha. Ne mund ta shohim këtë si një kërcënim, por mund ta shohim edhe si një mundësi për bashkëpunim më të gjerë”, shtoi ai.

Kohët e fundit, Danimarka propozoi që Trump të rrisë sigurinë në Grenlandë, duke përfshirë rritjen e pranisë ushtarake amerikane në ishull.

Sipas raportimit të Axios, qeveria daneze dëshiron të dekurajojë Trump-in nga pushtimi i ishullit duke adresuar shqetësimet e tij të sigurisë, pasi vendi nordik, një aleat i Washington-it si në NATO dhe pjesë e Bashkimit Evropian, shmang një përplasje politike me SHBA-në.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social” në dhjetor, Trump, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, e përshkroi pronësinë dhe kontrollin e Grenlandës si një “domosdoshmëri absolute” për SHBA-në, duke përsëritur dëshirën e tij për ta bërë vendin pjesë të SHBA-së.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha të premten se synon të ketë bisedime me Trump-in në lidhje me komentet e tij për Grenlandën, duke shtuar se ajo nuk beson se presidenti i zgjedhur do të përpiqet të pushtojë vendin arktik me forcë.

Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka qenë një territor autonom i Danimarkës që nga viti 1979. Në ishullin që ndodhet midis oqeanit Arktik dhe Atlantik ndodhet një bazë ushtarake amerikane dhe i njëjti ka rëndësi strategjike, pasi ofron rrugën më të shkurtër nga Amerika e Veriut në Evropë.

MARKETING