Gjysmëhëna e Kuqe Turke po ngre kampe në Gaza me tenda që ka siguruar nga AFAD-i

Gjysmëhëna e Kuqe Turke po ngre kampe në veri me tendat që janë siguruar nga AFAD-i në kuadër të punimeve për ndihmë humanitare, pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar, raporton Anadolu.
Pas marrëveshjes së armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe AFAD-i kanë përshpejtuar punimet e tyre të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. AFAD-i siguroi afërsisht 5.000 tenda si pjesë e përpjekjeve të saj për të përmbushur nevojat për strehim, një nga çështjet më të rëndësishme në krizën humanitare në Rripin e Gazës.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka marrë mijëra tenda të furnizuara nga AFAD-i dhe së bashku me partnerin e saj në rajon Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze vazhdon procesin e instalimit në veri të Rripit të Gazës, i cili është nën bllokadë të rreptë izraelite.
Në këtë kuadër, rajonet Jabalia dhe Shuyaiyya në veri të Gazës u zgjodhën për katër zonat e kampeve të planifikuara për t’u krijuar në fazën e parë. Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka përfunduar ngritjen e kampit të parë të përbërë nga 100 tenda në lagjen Sheikh Ridwan të qytetit të Gazës. Kampi me tenda ku filluan të vendosen palestinezët u emërtua “Kampi i Vëllazërisë Türkiye”.
Ndërsa për tre kampet e tjera me tenda, u arrit marrëveshje me autoritetin lokal për përcaktimin e tokës, nevojat e kampeve dhe çështje të ngjashme. Gjysmëhëna e Kuqe Turke vazhdon të punojë me Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze për të përfunduar menjëherë ngritjen e kampeve me tenda.