Gjykata e Lartë e Brazilit arrin shumicën për të dënuar ish-presidentin me akuza për përpjekje për grusht shteti

Gjykata e Lartë e Brazilit arrin shumicën për të dënuar ish-presidentin me akuza për përpjekje për grusht shteti

Shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Brazilit votuan të enjten për dënimin e ish-presidentit Jair Bolsonaro, i akuzuar për përpjekje për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022, transmeton Anadolu.

Gjyqtarja Carmen Lucia iu bashkua kolegëve të saj Alexandre de Moraes dhe Flavio Dino në vendimin për të shpallur fajtor ish-liderin e krahut të djathtë, i cili akuzohet se ka udhëhequr një organizatë kriminale të armatosur për të mbetur në pushtet pas humbjes ndaj Luiz Inacio Lula da Silvas. Të mërkurën, gjyqtari Luiz Fux kishte dhënë votë kundër, duke kërkuar shpalljen e tij të pafajshëm.

“Prokuroria paraqiti prova përfundimtare se grupi, i drejtuar nga Jair Messias Bolsonaro dhe i përbërë nga figura kyç të qeverisë, Forcave të Armatosura dhe shërbimeve të inteligjencës, kishte zbatuar një plan progresiv dhe sistematik për të sulmuar institucionet demokratike, me synim pengimin e ndryshimit legjitim të pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2022”, tha Lucia.

Vota përfundimtare tani varet nga gjyqtari Cristiano Zanin. Vendimi i tij do të përcaktojë nëse Bolsonaro mund të apelojë ndaj dënimit. Nëse Zanin vendos në favor të ish-presidentit, ai do të ketë të drejtë apelimi në Gjykatën e Lartë në përbërje të plotë.

Për krimet për të cilat akuzohet Bolsonaro mund të shpallet dënim maksimal deri në 43 vjet burg. Gjyqtarët do të debatojnë të premten për masën konkrete të dënimit dhe vendin ku do ta vuajë atë, me mundësi që variojnë nga arresti shtëpiak deri tek një qeli e posaçme në burg të sigurisë së lartë.

Prokuroria e ka ngarkuar ish-presidentin me pesë akuza: tentativë për organizim të një grushti shteti, pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur, përpjekje për shfuqizimin me dhunë të rendit demokratik, si dhe përfshirje në akte dhune dhe kërcënim serioz ndaj pasurive të shtetit.

MARKETING