Gjorçe Petrovi fiton Kupën e Maqedonisë ndaj Çairit

Hendbollistet e Gjorçe Petrovit kanë fituar trofeun e 18-të të Kupës së Maqedonisë, pasi në finale mposhtën skuadrën e Çairit me rezultat bindës 36-19. Çairi filloi ndeshjen me shumë vullnet dhe rezistoi mirë në minutat e para, duke barazuar rezultatin në 4-4. Megjithatë, për shkak të mungesës së thellësisë në skuadër dhe lodhjes, nuk arriti të mbajë ritmin deri në fund. Pavarësisht humbjes, vajzat e Çairit treguan shpirt luftarak dhe luftuan deri në momentin e fundit.
Në anën tjetër, Gjorçe Petrovi shfaqi përvojën dhe forcën kolektive, duke dominuar pjesën e dytë të takimit. Më e dalluara në ndeshje ishte Ivana Dejiq me 9 gola, ndërsa Emilijana Rizoska shënoi 7. Te Çairi u veçua Stefanija Gjorgjievska me 5 gola.
Pavarësisht rezultatit, kjo finale ishte një sukses dhe përvojë e vlefshme për Çairin, që tregon potencialin e skuadrës në të ardhmen. /SHENJA/