“Gjermanisë i duhen çdo vit 1.5 milion emigrantë për mirëqenien e ekonomisë së saj”

“Gjermanisë i duhen çdo vit 1.5 milion emigrantë për mirëqenien e ekonomisë së saj”

Kryetarja e Këshillit të Ekspertëve Ekonomikë të Qeverisë së Gjermanisë dhe profesoresha në Universitetin Ludwig-Maximilian në Mynih, Monika Schnitzer tha se Gjermania ka nevojë për 1.5 milion emigrantë në vit për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, transmeton Anadolu.

Schnitzer, në një deklaratë për “Süddeutsche Zeitung”, e përshkroi ligjin e ri të punës së kualifikuar si një hap në drejtimin e duhur, por duke theksuar se ka nevojë për më shumë.

“Për shembull, zyrat e të huajve që nuk dekurajojnë emigrantët, por ofrojnë shërbime. Nuk duhet të kërkojmë që profesionistët e huaj të flasin gjermanisht për çdo punë, por duhet të sigurohemi që stafi i zyrës së të huajve të flasë anglisht”, tha ajo.

Schnitzer theksoi se “Gjermania ka nevojë për 1.5 milion emigrantë në vit në mënyrë që çdo vit të ketë fuqi punëtore të re të kualifikuar prej 400 mijë personave”.

Ajo shtoi se Gjermania ka nevojë urgjente për një “kulturë mirëseardhjeje”. “Ne kemi nevojë urgjente për një kulturë mikpritëse. Nëse Intel (kompani amerikane) hap një fabrikë në Magdeburg dhe dëshiron të tërheqë punëtorë të huaj të kualifikuar, ata duhet të ndihen të mirëpritur aty”, tha Schnitzer.

Schnitzer potencon që vajzat dhe gratë të njoftohen me çështjet teknike. “Ka mungesë të personelit të kualifikuar në profesionet e matematikës, informatikës, shkencave natyrore dhe teknologjisë. Kompanitë duhet të përmbushin kërkesat e punonjësve të tyre më të vjetër në mënyrë që ata të mos dalin para kohe në pension. Siç tregon hulumtimi, kënaqësia e punonjësve është faktor i rëndësishëm në mbajtjen e tyre në punë”, tha ajo.

MARKETING