Gjermania thotë se bllokada izraelite po shkakton zi buke në Gaza

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha sot se bllokada de fakto e Gazës nga Izraeli po shkakton zi buke dhe po çon në vdekjen e civilëve, transmeton Anadolu.
“Ne kemi vërejtur prej kohësh se bllokada de fakto e Rripit të Gazës nga Izraeli po shkakton zi buke, duke çuar në vdekjen, vuajtjen dhe mbetjen e njerëzve pa ujë”, tha Wadephul për transmetuesin gjerman “Deutschlandfunk” pas vizitës së tij të fundit në Izrael dhe Palestinë.
Wadephul tha se ka dhënë një mesazh të qartë gjatë takimeve me zyrtarët izraelitë se situata humanitare në Gaza duhet të “ndryshojë rrënjësisht”.
“Shpresoj që ky mesazh të jetë dëgjuar. Kam përshtypjen se po”, tha ai.
Ministri paralajmëroi se Izraeli rrezikon të izolohet mes shqetësimit global në rritje për veprimet e tij në Gaza.
“Gjermania nuk duhet ta lejojë këtë të ndodhë. Ne gjithashtu duhet ta ndihmojmë Izraelin të shmangë rënien në një situatë të tillë”, tha ai, duke vënë në dukje se Berlini ka vazhduar ta këshillojë dhe mbështesë Izraelin “përmes këtij procesi të vështirë vendimmarrjeje”.
Wadephul gjithashtu pranoi se Gjermania mbetet një nga vendet e pakta që nuk e njeh Palestinën.
“Kjo është diçka që duhet ta pranojmë gjithashtu”, tha ai.
Ai paralajmëroi se kriza humanitare në Gaza po i shtyn më shumë vende të njohin në mënyrë të njëanshme Palestinën, duke “shpërfillur interesat e Izraelit”.
“Kjo na shqetëson ne – dhe duhet ta shqetësojë edhe Izraelin. Ne po përpiqemi të ofrojmë këshilla, t’ua hapim sytë dhe të punojmë që Izraeli të jetë në një pozicion më të mirë nga sa ka qenë deri më tani”, tha ai.
Wadephul bëri thirrje për kthimin e grupeve ndërkombëtare të ndihmës në Gaza, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, agjencitë e OKB-së, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe organizatat bamirëse fetare, duke thënë: “Nëse u jepet qasje, këto organizata mund të bëjnë punën e tyre”.
I pyetur se kur duhet të fillojë një qasje e tillë, ai u përgjigj: “Kjo mund të fillojë nesër – dhe, në fakt, tashmë po përmirësohet. Si rezultat i takimeve të mia me qeverinë izraelite këtë javë, dukshëm më shumë kamionë hynë në Gaza krahasuar me javën e kaluar”.
Megjithatë, Wadephul theksoi se nivelet e ndihmës mbeten shumë më poshtë se sa është e nevojshme dhe tha se Gjermania do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër.
Gjatë takimit të tij nga 31 korriku deri më 1 gusht, Wadephul u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e jashtëm Gideon Saar dhe presidentin palestinez Mahmoud Abbas.
Ai vizitoi gjithashtu al-Taybehn, pranë Ramallahut, dhe zhvilloi bisedime me grupet humanitare që veprojnë në rajon.