Gjermania refuzon mbi 10 mijë emigrantë të paligjshëm si pjesë e kontrolleve të shtuara kufitare

Gjermania ka refuzuar mbi 10.000 emigrantë të paligjshëm në kufijtë e saj që nga 8 maji 2025, si pjesë e kontrolleve të saj të shtrënguara kufitare, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për revistën Stern, ministri Federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e përshkroi refuzimin e azilkërkuesve në kufijtë e saj si pjesë të një politike të suksesshme të imigracionit.
Duke shprehur kënaqësinë e tij për kontrollet e shtrënguara kufitare, Dobrindt tha se refuzimet janë “një masë jashtëzakonisht efektive”.
“Që nga 8 maji, ne kemi refuzuar më shumë se 10.000 emigrantë të paligjshëm në kufijtë tanë, duke përfshirë afërsisht 550 azilkërkues”, tha Dobrindt.
Si një nga hapat e tij të parë zyrtarë në maj të këtij viti, ministri Dobrindt urdhëroi refuzimin e azilkërkuesve në kufij dhe shtrëngimin e kontrolleve ekzistuese.
Këto kontrolle u vendosën në zbatim në shtator 2024 nga qeveria e mëparshme, e cila përfshinte Nancy Faeser, atëherë ministre e Brendshme Federale.