Gjermania pezullon dërgesat e armëve në Izrael që mund të përdoren në Gaza

Gjermania ka kritikuar ashpër planet e Izraelit për të pushtuar Rripin e Gazës dhe ka njoftuar pezullimin e pjesshëm të eksporteve ushtarake, transmeton Anadolu.
“Në këto rrethana, qeveria gjermane nuk do të autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës”, tha kancelari Friedrich Merz.
Lideri konservator theksoi se Gjermania deri më tani ka mbrojtur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, ka mbështetur iniciativat për lirimin e pengjeve dhe ka avokuar për çarmatimin e Hamasit, duke e mbështetur Izraelin gjatë gjithë konfliktit.
“Vendimi i kabinetit izraelit mbrëmë për të ndjekur një veprim ushtarak edhe më të ashpër në Rripin e Gazës e bën gjithnjë e më të vështirë, nga këndvështrimi i qeverisë gjermane, të shihet se si do të arrihen këto objektiva”, tha Merz duke shtuar se qeveria e tij nuk do të autorizojë më asnjë eksport ushtarak drejt Izraelit që mund të përdoret në këtë fushatë ushtarake.
Kancelari gjerman shprehu shqetësimin e Berlinit për situatën katastrofike humanitare në Rripin e Gazës, mes raporteve për fëmijë që po vdesin nga uria dhe urinë masive që po prek popullatën palestineze si pasojë e bllokadës dhe operacioneve ushtarake izraelite.
“Qeveria gjermane mbetet thellësisht e shqetësuar për vuajtjet e vazhdueshme të popullsisë civile në Rripin e Gazës. Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite do të mbante përgjegjësi edhe më të madhe se më parë”, tha Merz duke përsëritur thirrjen e tij që Izraeli të lejojë qasje të plotë për dërgimin e ndihmave, përfshirë organizatat e OKB-së dhe institucionet joqeveritare.
Ai i bëri thirrje qeverisë izraelite “të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor”, mes shqetësimeve në rritje ndërkombëtare se veprime të tilla mund të përshkallëzojnë më tej tensionet dhe të rrezikojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete.