Gjermania paralajmëron SHBA-në kundër planeve të aneksimit të Grenlandës

Gjermania paralajmëron SHBA-në kundër planeve të aneksimit të Grenlandës

Gjermania paralajmëroi presidentin amerikan Donald Trump për planet e tij të kontestuara për të marrë kontrollin e Grenlandës, duke thënë se territori autonom i përket Danimarkës dhe kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë, raporton Anadolu.

“Është krejtësisht e qartë se Grenlanda është një territor që administrohet në mënyrë autonome dhe i përket Danimarkës. Kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë. Territorët nuk duhet të aneksohen me forcë. Ne jemi të lidhur nga parimet e së drejtës ndërkombëtare siç janë përcaktuar në Kartën e OKB-së”, tha zëdhënësi i qeverisë, Sebastian Hille, për gazetarët në Berlin.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me Danimarkën dhe partnerët tanë evropianë që ndajnë pikëpamjen tonë për të gjitha çështjet që lidhen me Grenlandën. Jemi të qartë në komunikimin tonë me SHBA-në për këtë çështje”, shtoi ai.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shprehur herë pas here mbështetje për Danimarkën përballë pretendimeve të Trumpit për Grenlandën.

Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të marrë kontrollin e Grenlandës – një territor me vetëqeverisje brenda Danimarkës – dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake.

Një ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro, Trump të dielën rifilloi thirrjet për marrjen e Grenlandës për shkak të interesave të sigurisë të SHBA-së.

Kryeministri i Danimarkës ka bërë thirrje ndaj Trumpit që të “ndalojë kërcënimet”.

MARKETING