Gjermania: Ne nuk shohim shenja gjen’ocidi nga Izraeli në Gaza

Gjermania: Ne nuk shohim shenja gjen’ocidi nga Izraeli në Gaza

Gjermania ka përsëritur mbështetjen e saj për ofensivën brutale ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, pavarësisht rritjes së viktimave civileve ditëve të fundit, transmeton Anadolu.

“Ne nuk shohim asnjë shenjë se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza”, tha Sebastian Fischer, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, në një konferencë për media të mbajtur në Berlin.

Komentet e tij erdhën disa orë pasi avionët luftarakë izraelitë goditën tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në Spitalin Al-Aksa në Gazën qendrore, ku si pasojë u vranë të paktën katër civilë dhe disa dhjetëra u plagosën.

Videot nga vendi i ngjarjes tregonin disa civilë palestinezë që digjeshin të gjallë, ndërkohë që shpëtimtarët po përpiqeshin të shpëtojnë njerëzit dhe të frenojnë zjarrin në oborrin e spitalit.

Kjo pasoi vdekjen e 22 personave të tjerë, përfshirë 15 fëmijë, në një tjetër sulm ajror ndaj një shkolle të UNRWA-së që strehonte civilë të zhvendosur në kampet e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore.

Fischer gjithashtu mohoi raportet e fundit të mediave që raportonin se ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, bllokoi eksportet e armëve në Izrael dhe se kërkoi garanci nga Tel Avivi se armët gjermane nuk do të përdoren në një gjenocid.

“Ne kemi folur shpesh këtu, e kemi paraqitur këtë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ministrja ka folur dhe qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar”, tha Fischer.

“Ne nuk shohim asnjë shenjë se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza. Në dritën e kësaj, ju gjithashtu mund të jeni në gjendje të vlerësoni raportimin dhe saktësinë e këtij raportimi”, tha Fischer, duke iu referuar lajmit të gazetës Bild.

Gjermania ka qenë një aleat i vendosur i Izraelit dhe zyrtarët qeveritarë gjermanë vazhdimisht kanë thënë se vendi mban përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës së tij naziste.

Që kur Izraeli filloi luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës, ai ka vrarë të paktën 42.300 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 98.400 të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Izraeli po përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e Tel Avivit në enklavën e rrethuar palestineze, ku miliona palestinezë janë zhvendosur, duke u përballur me uri dhe mungesë akute të ndihmës mjekësore dhe gjërave të tjera thelbësore.

MARKETING