Gjermania në bisedime me SHBA-në për të blerë sisteme “Patriot”​​​​​​​ për Ukrainën

Gjermania në bisedime me SHBA-në për të blerë sisteme “Patriot”​​​​​​​ për Ukrainën

Kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi sot bisedime për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot”​​​​​​​ nga SHBA-ja për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, raporton Anadolu.

Merz theksoi në një konferencë shtypi pas Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës në Romë nevojën për të forcuar aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kundër sulmeve ruse.

“Jam në komunikim të ngushtë me administratën amerikane dhe presidentin (Donald) Trump në lidhje me këtë çështje. Gjermania vazhdon mbështetjen e saj për Ukrainën në këtë fushë”, u tha Merz gazetarëve.

“Ne jemi të përgatitur të blejmë sisteme shtesë Patriot nga SHBA-ja për t’ia ofruar ato Ukrainës. Ministri i Jashtëm Johann Wadephul dhe ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius po koordinohen në mënyrë aktive me partnerët tanë për të mobilizuar ndihmë shtesë”, tha ai.

Udhëheqësi konservator nuk specifikoi numrin e sistemeve që Gjermania planifikon t’i blejë, por theksoi angazhimin e Berlinit ndaj Ukrainës.

Merz deklaroi gjithashtu se BE-ja do të zbatojë një paketë të re sanksionesh për të rritur presionin politik mbi Rusinë.

Ai e përshkroi takimin e Romës si të suksesshëm, duke vënë në dukje se i kanë dhënë një mesazh të qartë Rusisë. “Moska duhet ta kuptojë se ne nuk do të dorëzohemi. Kjo nuk është një mundësi”, tha ai, duke shtuar se gjithashtu presin që administrata Trump të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën.

“Administrata amerikane dhe presidenti amerikan duhet të qëndrojnë me ne. Kjo është ana e duhur e historisë. Do ta vlerësoja shumë nëse administrata amerikane e sheh këtë çështje në të njëjtën mënyrë”, tha Merz.

MARKETING