Gjermania mirëpret uljen e tensioneve në veri: Tani prioritet është dialogu

Gjermania mirëpret uljen e tensioneve në veri: Tani prioritet është dialogu

Gjermania e ka mirëpritur uljen e tensioneve në veriun e Kosovës.

Por, zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann, nuk pranoi të komentonte kërkesën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për rritjen e numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Hoffmann tha se ekzekutivi gjerman është koncentruar në mbështetjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”- tha ajo.

“Prioritet tani është që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë të mbështetet. Qeveria gjermane po e bën këtë në mënyrë shumë aktive”- theksoi ajo.

Ajo i referohej barrikadave të militantëve serbë të ngritura javët e fundit në dhjetëra lokacione në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët e hyrjes në dy pika kufitare me Serbinë.

Hoffmann, theksoi se Qeveria e Kosovës rihapi pikën më të madhe kufitare me Serbinë.

Po ashtu, Gjermania konfirmon mbështetjen e saj edhe për ndërmjetësimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian, shkruan Agjencia e Lajmeve gjermane DPA, përcjell Klankosova.tv

Kërkesa për shtimin e prezencës ushtarake të KFOR-it në Kosovë nuk u komentua as nga Ministrja e Jashtme.

Para disa ditësh, në një intervistë për gazetën “Die Welt” kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha rritja do ta përmirësonte sigurinë në të gjithë Ballkanit Perëndimor.

“Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti.

KFOR aktualisht ka 3 mijë e 800 ushtarë në Kosovë.

Gjermania në kuadër të misionit të NATO-s ka 70 ushtarë

MARKETING