Gjermania mban zgjedhjet që po vëzhgohen nga afër prej Evropës dhe SHBA-së

Gjermanët u janë drejtuar të dielën kutive të votimit, pas një fushate intensive që është dominuar nga situata ekonomike e Gjermanisë dhe sulmet vdekjeprurëse që e kanë kthyer migrimin në çështjen kryesore të sigurisë.
Friedrich Merz, lider konservator 69-vjeçar, konsiderohet figura që ka më së shumti shanse për t’u bërë kancelar i Gjermanisë, përmes këtij procesi zgjedhor që po vëzhgohet nga afër në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai është zotuar për t’i zgjidhur shumicën e problemeve brenda katër vjetëve – sfidë e konsiderueshme për shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë.
Nëse fitojnë Demokristianët e Merzit, ai do të duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti, dhe më së shumti shanse ka me Socialdemokratët e Olaf Scholzit, Qeveria e të cilit është shpërbërë në fund të vitit të kaluar.
Në rast të fitores, Merz e ka bërë të qartë se nuk do të krijojë koalicion me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila pritet të renditet si forca e dytë me madhe politike, duke e lënë mbrapa edhe partinë e qendrës së majtë të Scholzit.
Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 59.2 milionë gjermanë, ndonëse miliona prej tyre veçse kanë votuar me postë.
Sipas sondazheve, rreth 20 për qind e popullsisë është e pavendosur se për kë të votojë.
Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 18:00 dhe rezultatet e para pritet të dihen në mbrëmje.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë rëndësi të madhe për Gjermaninë, pasi ky vend do të duhet të marrë vendime të mëdha si në shtëpi, ashtu edhe në skenën botërore.
Merz zotohet për udhëheqje të pushtetshme në Evropë, ndonëse Berlini është nën presion për t’i liruar kufizimet për buxhet në ushtri.
Si ofruesja më e madhe e ndihmës ushtare për Ukrainën, pas Shteteve të Bashkuara, Qeveria e re gjermane do të përballet edhe me udhëheqjen e re amerikane.
Liderët politikë gjermanë janë tronditur nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili është takuar me kandidaten e AfD-së për kancelare, Alice Weidel, dhe i cili ka bërë thirrje për dhënie fund të tabusë që të mos bisedohet me të djathtën ekstreme.
Kundër AfD-së është protestuar në disa qytete gjermane të shtunën.
Kjo parti është rritur dukshëm në disa rajone lindore, po është duke u rritur edhe në pjesën perëndimore, sidomos tek audiencat e reja përmes platformës TikTok.
Kjo parti synon të largojë Gjermaninë nga BE-ja, t’i ndryshojë politikat për klimën, të ndërtojë centrale bërthamore, dhe të riparojë linjat e transportit të gazit dhe marrëdhëniet diplomatike me Rusinë. /REL