Gjermania i kërkon Izraelit të heqë dorë nga plani për pushtimin e qytetit të Gazës

Gjermania i kërkon Izraelit të heqë dorë nga plani për pushtimin e qytetit të Gazës

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul i kërkoi sot Izraelit të braktisë planin për pushtimin e qytetit të Gazës, duke paralajmëruar se kjo mund të krijojë katastrofë shkatërruese humanitare, transmeton Anadolu.

Pas telefonatës së tij me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Saar, Wadephul deklaroi në mediat sociale se ata kanë diskutuar zhvillimet e fundit, përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës në Gaza.

“Në të njëjtën kohë, i kam bërë thirrje qeverisë izraelite të mos vazhdojë me planet për të pushtuar qytetin e Gazës”, tha Wadephul. “Kjo do ta përkeqësonte më tej situatën humanitare në mënyrë të konsiderueshme. Në vend të kësaj, në Rripin e Gazës duhet të arrijë urgjentisht më shumë ndihmë humanitare”, shtoi ai.

Kryediplomati gjerman shprehu shqetësim të madh në lidhje me deklaratat e ministrave të ekstremit të djathtë të Izraelit, të cilët kanë propozuar aneksimin e Bregut Perëndimor për të parandaluar krijimin e një shteti palestinez.

“Gjatë bisedës sonë unë paralajmërova qartë kundër planeve izraelite për aneksim në Bregun Perëndimor. Gjermania vazhdon të mbështesë një zgjidhje të negociuar me dy shtete si bazë për paqe të qëndrueshme”, tha Wadephul.

MARKETING