Gjermani, Dhoma e Lartë miraton ndryshimet për shpenzime në mbrojtje dhe infrastrukturë

Gjermani, Dhoma e Lartë miraton ndryshimet për shpenzime në mbrojtje dhe infrastrukturë

Dhoma e Lartë e Gjermanisë, Bundesrat, miratoi sot ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë financim masiv për mbrojtjen dhe infrastrukturën, transmeton Anadolu.

Amendamentet, të cilat ishin miratuar më parë nga dhoma e ulët e Bundestagut, fituan mbështetjen e shumicës, me 12 shtete federale që votuan pro dhe katër shtete abstenuan.

Shtetet federale të qeverisura nga Kristiandemokratët dhe partneri i tyre i mundshëm i koalicionit, Socialdemokratët, votuan pro ndryshimeve, duke siguruar shumicën e kërkuar prej dy të tretave në Bundesrat.

Sipas këtyre ndryshimeve, rregullat strikte fiskale të Gjermanisë do të lehtësohen, duke lejuar huamarrjen për shpenzime kritike të mbrojtjes, forcimin e shërbimeve të inteligjencës, mbrojtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmën e shteteve të sulmuara në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Shpenzimet në këto kategori që tejkalojnë 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Gjermanisë do të përjashtohen nga rregulli kushtetues i “frenimit të borxhit”. Më parë, ligji bazë i vendit kufizonte huamarrjen e qeverisë në 0,35 për qind të PBB-së.

Një masë tjetër e miratuar krijon një fond special prej 500 miliardë eurosh për investimet në infrastrukturë dhe mbrojtjen e klimës.

Nga kjo shumë, 100 miliardë euro do t’u ndahen shteteve federale për investime në infrastrukturë, ndërsa 100 miliardë euro të tjera do të caktohen për mbrojtjen e klimës.

MARKETING