Gjeorgji, mijëra njerëz në protestë përpara inaugurimit të diskutueshëm presidencial

Gjeorgji, mijëra njerëz në protestë përpara inaugurimit të diskutueshëm presidencial

Mijëra qytetarë të Gjeorgjisë mbrëmë kanë dalë në rrugë në kryeqytetin Tbilisi, duke formuar një zinxhir njerëzor për të protestuar kundër inaugurimit të presidentit Mikheil Kavelashvili, të cilin kritikët e shohin si të lidhur me partinë ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ në pushtet, transmeton Anadolu.

Protestat pasojnë akuzat për mashtrim në zgjedhjet parlamentare të muajit tetor, të cilat ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ pretendoi se i kishte fituar.

Kavelashvili do të inaugurohet sot më vonë, presidencën e të cilit opozita e ka refuzuar, me katër grupe kryesore opozitare që bojkotojnë parlamentin.

Presidentja aktuale, Salome Zourabichvili, ka refuzuar të japë dorëheqjen, duke i quajtur zgjedhjet “të paligjshme” dhe një “operacion special rus”.

Protestuesit valëvitën flamujt e Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Evropian (BE), duke shprehur pakënaqësi me autoritarizmin në rritje të qeverisë dhe përafrimin e saj të perceptuar me Rusinë.

Qeveria është përballur me kritika për miratimin e ligjeve që vënë në shënjestër mediat dhe organizatat joqeveritare, që refuzojnë vënien e sanksioneve ndaj Rusisë pas “operacionit special ushtarak” të saj në Ukrainë, si dhe për shtyrjen e bisedimeve të pranimit në BE deri në vitin 2028.

Njoftimi i shtyrjes në muajin nëntor shkaktoi protesta të gjera, me policinë e trazirave që ka përdorur edhe gaz lotsjellës dhe topa uji kundër demonstruesve.

Së fundmi, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj themeluesit të partisë ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, Bidzina Ivanishvili, duke intensifikuar më tej tensionin politik.

Presidentja aktuale, Zourabichvili, zotohet se do të qëndrojë në detyrë, ndërsa qeveria ka paralajmëruar se refuzimi i saj për t’u larguar nga detyra përbën një akt kriminal, duke e lënë krizën politike të pazgjidhur.

MARKETING