Gjenerali amerikan thotë se ushtria britanike nuk është më forcë superiore luftarake
Një gjeneral i ushtrisë amerikane gjatë një bisede private me ministrin britanik të Mbrojtjes, Benn Wallace, i ka bërë të qartë se SHBA-të nuk e konsiderojnë ushtrinë britanike një forcë luftarake superiore, raporton Sky News duke cituar burime nga sektori i mbrojtjes.
Të njëjtat burime pohojnë se rënia e aftësive luftarake të ushtrisë britanike, e cila pasoi dekada shkurtimesh për të kursyer para, duhet të kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
“Përfundimi është se ushtria britanike është e paaftë të mbrojë Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët tanë për dhjetë vitet e ardhshme”, tha një nga burimet, transmeton Telegrafi.
Burimet brenda sektorit të mbrojtjes, gjithashtu pretendojnë se kryeministri britanik Rishi Sunak po rrezikon të dështojë në rolin e tij si “kryeministër i kohës së luftës”, nëse nuk merr masa të menjëhershme përballë kërcënimit në rritje të sigurisë që paraqet Rusia e Putinit.
“Këta hapa urgjent duhet të përfshijnë rritjen e buxhetit të mbrojtjes me të paktën tre miliardë funte në vit, ndalimin e një plani për të shkurtuar më tej numrin e personelit ushtarak dhe lehtësimin e rregullave të prokurimit, të cilat do t’i lejonin Mbretërisë së Bashkuar të fillonte një prokurim të përshpejtuar të armëve dhe municioneve”, thanë burimet.
“Historia do t’i shikojë vendimet e marra nga kryeministri i kohës së luftës në javët në vijim, të cilat do të tregojnë nëse kjo qeveri beson sinqerisht se detyra e saj kryesore është mbrojtja e vendit apo është thjesht një slogan që përsërit për hir të rendit”, shtoi burimi.