Gjashtë persona raportuan simptoma të helmimit nga ushqimi pas një seminari në një restorant në Kumanovë

Qendra e Shëndetit Publik (QSHP) e Kumanovës ka raportuar helmim nga ushqimi tek gjashtë persona.
Personat në fjalë morën pjesë në një seminar, një trajnim të kompanisë, të mbajtur në një restorant në Kumanovë të enjten e kaluar (11 shtator). Në këtë ngjarje kishte gjithsej 36 pjesëmarrës, dhe gjashtë prej tyre shfaqën simptoma të helmimit nga ushqimi – të vjella, diarre, ethe, temperaturë deri në 41 gradë, dhimbje dhe shtrëngime në stomak.
Qendra e Shëndetit Publik e Kumanovës tregon se pasi konsumuan ushqim nga restoranti në mbrëmjen e 11 shtatorit, personat zhvilluan simptoma të helmimit nga ushqimi katër deri në 16 orë më vonë.
“Dy prej tyre janë shtruar në spital, tre janë në spital ditor dhe një po merr trajtim në shtëpi”, deklaron QSHP e Kumanovës.
Pas raportimeve të para për persona të sëmurë, një epidemiolog nga Qendra e Shëndetit Publik e Kumanovës dhe njësitë rajonale të Kumanovës të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kryen mbikëqyrje në hotelieri më 15 shtator dhe morën mostra shqimore për testim mikrobiologjik.
“Janë marrë të gjitha masat antiepidemike të përshtatshme higjieno-epidemiologjike. Objekti është i mbyllur derisa të merren rezultate negative të materialeve të testuara”, njoftoi Qendra e Shëndetit Publik të Kumanovës, duke shtuar se situata epidemiologjike po monitorohet.