Gërvalla në OKB: “Kosovo Metohija” është shprehje e ambicieve hegjemoniste, Serbia është kërcënim real për rajonin

Gërvalla në OKB: “Kosovo Metohija” është shprehje e ambicieve hegjemoniste, Serbia është kërcënim real për rajonin

Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, ka mbajtur një fjalim të ashpër në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ka theksuar se termi “Kosovo Metohije” është një mbetje e gjuhës hegjemoniste serbe dhe një simbol i pretendimeve të Serbisë mbi Kosovën.

“Më lejoni ta sqaroj se nuk ka ‘Kosovë Metohi’. Nuk ekziston, zonja dhe zotërinj. Kosova Metohi është një shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën. Është gjuha e vjetër e Slobodan Milosheviqit dhe e atyre që ende e ndjekin”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka theksuar se Kosova është një demokraci e vërtetë perëndimore në Ballkan, me një mbështetje të jashtëzakonshme ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne jemi vendi më pro-NATO dhe më pro-SHBA në botë. Rreth 13 mijë njerëz u vranë nga mizoritë serbe të nxitura nga Milosheviqi – dhe presidenti i tij gjatë atij gjenocidi ishte Z. Vuçiq, i cili sot është president i Serbisë”, ka shtuar ajo.

Gërvalla ka paralajmëruar se Serbia vazhdon të paraqesë një kërcënim real për rajonin, përmes propagandës së gjerë shtetërore dhe përgatitjeve të mundshme për agresion.

“Ne shohim çdo ditë makinerinë e pamëshirshme të propagandës në mediat e kontrolluara nga Vuçiq, që helmon shoqërinë serbe dhe përhap urrejtje. Në të gjithë Serbinë mund të shihni murale e grafite që thërrasin ‘kur ushtria kthehet në Kosovë’ – jo ‘nëse’, por ‘kur’. Ata nuk i fshehin qëllimet e tyre”, ka theksuar ajo.

Në fund të fjalës së saj, ministrja ka bërë thirrje për dialog të vërtetë me Serbinë, duke kritikuar sjelljen e presidentit Vuçiq si të bazuar në “mashtrim, tradhti ndaj BE-së dhe luftë hibride ndaj fqinjëve”.

“Ne kemi nevojë për një dialog real, jo për mashtrime. Strategjia e Vuçiqit ndaj BE-së është tradhti, ndërsa ndaj fqinjëve – luftë hibride deri në agresion paramilitar”, ka përfunduar Gërvalla.

 

MARKETING