Gaza, shirat e dendur përkeqësojnë gjendjen e rëndë të civilëve të zhvendosur në mes të luf’tës izra’elite
Shirat e dendur kanë përkeqësuar gjendjen e palestinezëve të zhvendosur në Rripin e Gazës në mes të luftës vdekjeprurëse izraelite në enklavën e rrethuar, raporton Anadolu.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile njoftoi se reshjet kanë shkaktuar dëme të rënda në tendat që strehojnë mijëra palestinezë të zhvendosur me ujërat që rrjedhin brenda tendave duke dëmtuar plaçkat dhe dyshekët e tyre.
Zëdhënësi i Shërbimit të Mbrojtjes Civile, Mahmoud Basal, tha se situata aktuale sinjalizon një “katastrofë të vërtetë humanitare” nëse nuk ndërhyhet menjëherë.
Shirat e dendur kanë prekur disa zona në të gjithë enklavën palestineze, veçanërisht atë qendrore dhe jugore.
Basal i bëri thirrje OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë shpejt për të siguruar tenda dhe karvane për civilët e zhvendosur në Gaza gjatë dimrit.
Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit vitin e kaluar, duke vrarë të paktën 44.200 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104.500 të tjerë.
Tashmë në vitin e dytë, gjenocidi izraelit në Gaza ka tërhequr një dënim në rritje ndërkombëtar, me figura dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një popullsi.
Të enjten, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën brutale ndaj Gazës.