Gaza, i riu palestinez digj’et i gjallë në sul’min izraelit në kampin me tenda
Një video pamje ka treguar një të ri palestinez të përfshirë nga flakët brenda tendës së tij pas sulmit ajror izraelit në oborrin e Spitalit të Martirëve Al-Aksa në Rripin e Gazës qendrore, transmeton Anadolu.
20-vjeçari Shaaban Ahmed Al-Dalu, një student i inxhinierisë softuerike, bërtiste për ndihmë derisa u përfshi nga flakët si pasojë e sulmit ajror izraelit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, zjarri shkatërroi disa tenda, duke marrë jetën e katër palestinezëve të zhvendosur, përfshirë Shaaban-in dhe nënën e tij, si dhe duke plagosur mbi 40 të tjerë.
“Shaaban-i nuk ishte vetëm një vëlla, ai ishte një mik dhe një mbështetës. Humbja e tij është e padurueshme”, tha vëllai i tij i vogël, i cili nuk dha emrin e tij, duke kujtuar me loj natën tragjike.
Ai tha se tenda e tyre u godit në orën 1.30 të mëngjesit.
“Unë isha duke fjetur në tendën tjetër dhe nuk mund t’i shpëtoja ata. I pashë të digjen. Familja jonë është e shpërndarë tani, secili prej nesh në një vend të ndryshëm. Motra ime u plagos dhe u shtrua në spital. Babai im ishte gjithashtu i shtruar në spital në Khan Younis”, shtoi ai mes lotëve që i rridhnin në fytyrë.
Familja e aaan-it u zhvendos pasi shtëpia e tyre u shkatërrua në një sulm ajror izraelit, duke i detyruar ata të strehohen në një tendë në mjediset e Spitalit të Martirëve Al-Aksa në qytetin Deir al-Balah.
Pavarësisht luftës, ai mbeti i përkushtuar për arsimimin e tij, duke studiuar online. Çdo ditë, atij iu desh të udhëtonte distanca të gjata për qasje në internet dhe për të vazhduar me orët e tij mësimore.
Vëllai i tij shpjegoi se përpjekjet e tij u nxitën nga shpresa për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjen e tij, e cila ishte detyruar të zhvendosej nga lufta.
Megjithatë, atë natë, kur avionët luftarakë izraelitë shënjestruan kampin me tenda, Shaaban nuk kishte asnjë mundësi për të shpëtuar. Flakët e përpinë atë dhe tendën e tij më shpejt se sa ai mundi të ikte, duke i shuar edhe ëndrrat dhe jetën e tij.
Mesazhet përfundimtare
Para vdekjes së tij, Shaaban ndau një postim në llogarinë e tij në Instagram duke shprehur vuajtjet e tij gjatë luftës izraelite.
“Dikur ëndërroja shumë, por lufta i shkatërroi ato ëndrra. Më ka pushtuar duke më lënë të sëmurë fizikisht dhe mendërisht. Unë vuaj nga depresioni dhe rënia e flokëve për shkak të traumës së vazhdueshme”, shkroi ai.
Ai gjithashtu shprehu shpresën për një të ardhme më të ndritshme për familjen e tij dhe fëmijët që po durojnë tmerret e luftës, si dhe u bëri thirrje njerëzve që të mbështesin palestinezët e zhvendosur dhe të lehtësojnë vuajtjet e tyre.
“Momenti më i dhimbshëm atë natë ishte ta shikoja atë të digjej para të gjithëve, pa asnjë person në gjendje ta ndihmonte. Flakët përpinë gjithçka dhe askush nuk mundi të afrohej për shkak të zjarrit masiv”, tha vëllai i tij.
Pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga lufta dhe rrethimi izraelit, Shaaban u shtrëngua pas ëndrrave të tij. ai e mësoi përmendësh librin e shenjtë Kur’anin dhe synonte të ndërtojë një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e tij.
Vëllai i tij tha se ai punoi pa u lodhur për të ndihmuar familjen e tij të përballojë rrethanat shkatërruese të luftës.
“Një javë para se të vritej, Shaaban po recitonte Kur’an në xhaminë pranë Spitalit të Martirëve Al-Aksa. Ai e mbaroi recitimin rreth orës 1 të mëngjesit dhe rreth gjysmë ore më vonë, avionët luftarak izraelitë bombarduan xhaminë. Ai i mbijetoi për mrekulli asaj goditjeje”, shtoi ai.
Shaaban pësoi lëndime të lehta në atë sulm. Ai u kthye për të qëndruar me familjen e tij në tendën e tyre në ambientet e spitalit, pa e ditur se pas pak ditësh do të ribashkohej me shokët e tij të vrarë më herët.
Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 42.400 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 99 mijë të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Për veprimet e tij në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.