Gaza, 13 të vrarë dhe 26 të plagosur pasi Izraeli bombardoi autoambulancat para Spitalit Al-Shifa
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 13 palestinezë u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën në një bombardim izraelit që synonte autoambulancat pranë Spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, raporton Anadolu.
“13 palestinezë u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën si rezultat i masakrës së kryer nga forcat okupuese kundër autoambulancave në portën e Kompleksit Mjekësor Al-Shifa”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ministria tha se autoambulancat po transportonin disa të plagosur për trajtim në Egjipt.
“Ne njoftuam paraprakisht Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Republikën Arabe të Egjiptit dhe mbarë botën përmes kanaleve të komunikimit për lëvizjen e autoambulancave që transportonin të plagosurit në Egjipt, por forcat e okupuesit e kryen krimin me paturpësinë më të madhe”, shtoi ministria.
Në njoftim gjithashtu i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë në llogari përgjegjësit për masakrën.
“Kishte shumë viktima dhe të plagosur në sulmin izraelit që synonte një autokolonë ambulancash që po shkonte në jug për të arritur në vendkalimin tokësor Rafah”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Ashraf al-Qudra në një konferencë për media në Spitalin Al-Shifa.
I vendosur në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, Kompleksi Mjekësor Al-Shifa konsiderohet institucioni më i madh shëndetësor mjekësor brenda Rripit të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi gjithashtu se në shënjestër të sulmeve ajrore izraelite kanë qenë edhe lokacione në afërsi të dy spitaleve tjera, Spitali Al-Quds dhe Spitali Indonezian.
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Gazë, enklavë e cila ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e Hamasit më 7 tetor.
Më shumë se 10.700 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9,240 palestinezë dhe më shumë se 1,538 izraelitë.