FRYMA ZEMAHSHERIANE NË SQARIMIN E AJETEVE TË AGJËRIMIT

FRYMA ZEMAHSHERIANE NË SQARIMIN E AJETEVE TË AGJËRIMIT

Ridvan Xhaferi

Ebul Kasim Mahmud bin Umer bin Muhammed bin Ahmed Zemahsheri, në literaturën islame njihet edhe me nofkën Xharull-llah,[1] u lind në vitin 467 h. /1075 në fshatin Zemahsher të Havarizmit.

Vepra kryesore e tij me të cilin është bërë i njohur në shkencat islame është komenti gjuhësor i Kuranit famëlartë,pra, tefsirii mirënjohur i tij: “El Kesh-shafu an hakaiki-t-tenzili ve ujuni-l ekavili fi vuxhuhi-t-te’vili”.[2]

Zemahshariu, pavarësisht nga fakti se tefsiri i tij ndjek tekstin e Kur’anit nga fillimi deri në fund, teknikat e tij ekzegjetike ndryshojnë nga formati standard i ekzegjezës tradicionale. Karakteristikat kryesore të tefsirit të tij janë: theksimi i vargjeve të qarta dhe të paqarta “Muhkem dhe Muteshabih”, rëndësia e sintaksës dhe stilistikës “Ilm el-Meʻani dhe Ilm el-Bejan”, formati i pyetjeve dhe përgjigjeve “el-Fankale”, ajetet Nasih(shfuqizues) dhe Mensuh(te shfuqizuara), dhe analizatgramatikore dhe sintaksore. Këta komponentë të ekzegjezës janë zbatuar në mënyrë unike prej tij në të gjithë Keshafin, gjë që shihet qartë edhe në ajetet e agjërimit.

Pasiqë jemi në muajin e bekuar të Ramazanit ne do të përpiqemi që të hedhim sy nëinterpretimin e ajetevetëtë agjërimit të Sures Bekare (183-187) në tefsin Keshaf. Të depërtohet në konceptin komentues të Zemahsheriut është punë goxha e vështirë, pasi ai është një detë i thellë linguistik, semantik dhe semiologjik, por dëshira ime ishte që sadopak nënqiellin tonë shqiptarë ta njoftoj edhe me qasjen e Zemahsheriut në lidhje me ajetet e agjërimit.

 

  1. Pesë ajetet e agjërimit në Suren Bekare (183 – 187)
  2. O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.
  3. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini.
  4. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.
  5. Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë. 
  6. Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat.
  1. Përkufizimi i fjalës “Sijam” dhe “Ramadan”

Agjërimi është një ibadet i lashtë dhe themelor, të cilin Allahu e ka obliguar për të gjithë popujt, duke filluar nga ditët e para të shkeljes së njeriut në tokë. Agjërimi është i pranishëm, në forma dhe trajta të ndryshme në të gjitha periudhat historiek të shoqërisë njerëzore. Si pasojë, agjërimi paraqet, krahas një ibadeti, edhe një koncept të antroplogjisë kulturore dhe edukimit të karakterit të njeriut në periudha dhe në hapësira të ndryshme.  Përshkak natyrës të edukimit të karakterit dhe duke i kushtuar vëmendjen e duhur kësaj çështjeje, agjërimi mbron nga e keqja dhe cytjet e egos. Agjëruesi, në një mënyrë e pengon lakminë dhe tundimin e tij epshor dhe e pengon atë që të anojë nga e keqja.

Fjala “Ramadan” është paskajorja e foljes ramada që do të thotë “shkrumbim apo vapë”, djegie dhe zierje në rrërën e shkretëtirës. Është emërtuar me këtë emër sepsemuaji i Ramazanit në vapën e shkretëtirës i ka djegur trupat e urët dhe të etur të besimtarëve mysliman, por edhe për shkak se agjërimi i djeg lakmitë e liga dhe gjynahet e besimtarit dhe e bën atë të pjekur.Gjithashtu, thuhet se kur arabët i transferuan emrat e muajve nga fjalori i vjetër, ata i emërtuan këta muaj në ujdi me motin e atij muajidhe ky muaj ka përkuar, asokohe, me ditë shumë të nxehta.

  1. Mbështhetja në Hadithe dhe Sunetin e Pejgamberit a.s.

Hadithi dhe Suneti janë një temë dhe argument thelbësorënë ekzegjezëne Zemahsheriut, ai i pranon të gjitha hadithet të cilat janë në përputhje me traditën e përcjelljes së tyre në shkencën e hadithit, por edhe ata që janë pjesë e kulturës myslimane.Zemahsheriu është njohës i mirë i hadithit, madje ka të shkruara edhe katër  katër vepra mbi hadithin: el-Fa’ik fi garib el-Hadith, Muhtasar el-Muvafakat bejne ehl el-Bejt ve Sahabe, Muteshabih esma el-Ruvat dhe Kiram el-Barar.

Në interpretimin e ajetit 183 të sures Bekare (..që të jeni të mbrojtur), transmeton hadithin e Pejgamberit a.s. për të argumentuar rëndësinë e agjërimit,“O ju të rinjë! Kush ka mundësi që të martohet le të martohet, e ai që nuk ka mundësi të martohet le të agjëron, sepse agjërimi për te është mburojë”. (Buhariu, Nikah: 23). Gjithashtu në ajetin 185 të sures Bekare, transmeton  fjalët e të Dërguarit a.s. për rëndësinë e muajit Ramazan, “Kush agjëron gjatë Ramazanit duke besuar dhe duke shpresuar në shpërblimin e tij nga Allahu [mëkatet e tij të kaluara i falen.” (Buhari, Iman, 2826)dhe “Mallkuar qoftë ai që arrin Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet”.(Tirmidhiu, De’avât, 100,101)

  1. Dispozitat juridike (fikhore)

Metodologjia shkencore e Zemahsheriut, nuk është e kufizuar vetëm në aspektin gjuhësor dhe stilistik, por në të njëjtën kohë ai i qaset edhe dispozitave juridike (fikhut), pa u ndikuar nga ndonjë medh’heb edhe pse ai i ishte ndjekës i medh’hebit Hanefij.

Zemahsheriu në ajetin 187 te Sures Bekare spjegon aspektin juridik në lidhje me kohën e ndërprerjes së ushqimit gjatë syfyrit,  “Hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës),dhe në këtë pikë ai sqaron një çështje shumë të rëndësishme që është edhe sot objekt debati. Sepse që nga koha e të Dërguarit të Allahut, ky ajet është kuptuar literalisht dhe herë pas here janë bërë gabime në bartjen praktike të kësaj dispozite. Ndërsa, Zemahsheriu bën hermeneutikën e tij në lidhje me fijen e bardhë, dhe thotë që kjp metaforë ka të bëjë me shfaqjen agimit, i cili shtrihet në formë të vijës së gjatë në horizont, ndërsa fija e zezë, vazhdon Zemahsheriu, nënkupton errësirën përfundimtare të natës që shtrihet në horizonti. Si rrjedhojë, pikërisht koha e sabahut është koha kur errësira fillon të ndahet me agimin në trajtë të dy fijeve, të bardhës dhe të zezës.

  1. Sebeb en-Nuzul (Shkaku i zbritjes së ajeteve)dhe ajetet Nasih (shfuqizues) dhe Mensuh (të shfuqizuara)

Ajetet e agjërimit, siç e ka traditë edhe në sqarimin e ajeteve të tjera, Zemahsheriu, i mbështet edhe në shkaqet e zbritjes së sureve apo edhe të ndonjë ajeti, duke i klasifikuar këto transmetime dhe duke bërë përzgjedhjen e tyre. Në interpretimin e ajeteve ai vendos një lidhje të ngushtë ndërmjet disiplinës analitike të shkaqeve të zbritjes dhe çështjes së ajeteve të shfuqizuara dhe shfuqizuese me që llim që të rrokë detajet e kontekstit të çështjes, në këtë rast të agjërimit. Kjo kështu, për shkak se shfuqizimi (nes’h) nuk kuptohet dot pa u ditur dhe analizuar mirë çështja e shkaqeve të zbritjes së ajeteve.[3]

Koncepti i shfuqizimit (nes’h) në Kur’anin Famëlartë është një çështje e pranuar dhe kuptimplote sipas Zemahsheriut, ai nuk mund të mohohet. Këtë çështje Zemhasheriu e ka rrahur në interpretimin e pjesës së ajetit 184 të Sures Bekare: “Ditë të numëruara”,dhe thotë se bëhet fjalë për ditët e Ashures (dhjetë ditët e  Muharremit) dhe 3 ditët e çdo muaji. Këta ditë ishin obligative për t’i agjëruar kur Pejgamberi a.s. u shpërngul (bëri hixhret) dhe më vonë u shfuqizua me agjërimin e muajit të Ramazanit, me ajetin 185 të Sures Bekare: “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani..”

Gjithashtu nëlidhje me kuptimin e ajetit 183 të Sures Bekare: “Ju është urdhëruar, ashtu siç është urdhëruar për të parët, që të mbroheni nga gjërat që e prishin agjërimin pasi të kenë falur namazin e natës”, por më vonë është shfuqizuar kjo dispozitë me ajetin 187 të Sures Bekare; “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaj(edhe nëse është në muajin e Ramazanit)”.

Ai, gjithashtu flet edhe për shkakun e zbritjes së ajetit 186 të Sures Bekare: Shprehja (فَإِنّي قَرِيبٌ)“Unë jam afër” do të thotë se Allahu i përgjigjet lehtësisht atij që i lutet Allahut. Thuhet se shkaku i zbritjes së këtij ajeti ishtekur një beduin e pyeti të dërguarin e Allahut: “A është Zoti ynë afër, ta lusim Atë në fshehtësi, apo është larg, t’i thërrasim me zë të lartë Atij?

  1. Interpretimi gjuhësor

Zemahshariu ishte një nga studiuesit e shquar në fushat e shkencavetë gramatikës, filologjisë dhe leksikografisë.Në të vërtetë, Keshafi dallohet në shumë aspekte nga tefsiret e tjera sepse është i përqendruar në një retorikë dhe stil të mrekullueshëm gjuhësor, madje edhe në këtë mënyrë i qaset fjalëve të Allahut xh.sh..

Ajeti 185 i sures Bekare, thotë Zemahsheriu, pra,  fjala “Ramadan“ka prejardhje nga fjala arabe, që është paskajorja e foljes ramada që do të thotë “shkrumbim apo vapë”, dhe kjo është marrë nga shprehja er-ramdâ’u. Këtij koncepti i atribuohej emri i njohur i muajit dhe e ky koncept u bë emër i përveçëm i muajit Ramazan. Është emër i palakuar, si pasojë e rregullit gjuhësor të gjuhës arabe, përshkak elifit dhe nunit që i ka brenda.

Po në të njëjtin ajet, pjesën(فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ)“Kushdo nga ju që do të jetë dëshmitar i këtij muaji”, pra nëse personi që duhet të agjërojë është në vend të vet, gjatë këtij muaji dhe nuk është në udhëtim, “le të agjërojë” e mos ta prishë agjërimin! Fjala esh-Shehr(muajin) është  ndajfolje kohore. Gjithashtu përemri (ه) në fjalinë { فَلْيَصُمْهُ } d.m.th., le ta agjërojë në ‘këtë muaj’, nuk është mef’ûlün bih (kundrinë). Është njësoj kur thua(shehidtu’l-xhumu’ate – kam mbërritur të premten),sepse vendasi dhe udhëtari që të dy e dëshmojn hyrjen e muajit. Siç shihet Zemahsheriu bën një analizë të çdo pjese të fjalëve të Kur’anit dhe prej aty arrinë deri tek dispozita juridike për mënyrën e agjërimit të udhëtarit dhe atij që është në vend të vet.

  1. Interpretimi stilistik

Zemahsheriu thotë se njohja e semantikës dhe stilistikës është thelbësore për t’i rrokur kuptimet më të hollësishme të Kur’anit. Ai përmend se “askush nuk mund t’i kuptojë domethëniet e vërteta, përveç një personi që është i aftë në dy shkenca që lidhen me Kur’anin, dhe ato janë shkenca e semantikës dhe stilistikës”.

Zemahsheriu duke ju referuar ajetit 184 të Sures Bekare, ..”nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas”,thotë se kjo shprehje është një elokuencë dhe gojtari në vete, ndërsa më tej thekson: “Ditë të numëruara” nënkupton një numër të caktuar ose një numër të vogël, që të do të thotë “në ditë”. Dhe këtu bën krahasimin me rastin e Jusufit a.s. kur vëllëzërit e tij e dëbuan nga shtëpia, pastaj udhëtarët që e morën dhe e shitën duke mos ia ditur vlerën e tij, ashtu siç thuhet në ajetin 20 të Sures Jusuf: “Ata e shitën (Jusufin) për pak dirhemë..”, Ata nuk e vlerësuan shumë…” Thelbi dhe esenca e këtij ligjërimi është se pak mallra vlerësohenkur janë në sasi të vogla, ndërsa kur janë në sasi të mëdha nuk u kushtohet rëndësi. Pra, ditët e numëruara të Ramazanit janë të kufizuara dhe si të tilla kanë shumë vlerë të madhe fetare dhe shpirtërore. Besimtari në relacion me to duhet të sillet si me gjërat që janë pak por shumë të vlefshme, si diamanti, dukati dhe gurët tjerë të çmueshëm. Sa bukur, Zemahsheriu, ka depërtuar në thellësinë stilistike dhe estetike të sasisë dhe masës, duke preferuar që ditët e Ramazanit janë estetikë në vete dhe ne duhet të kemi kujdes ndaj tyre ashtu si kemi kujdes ndaj gjërave të çmueshme që i posedojmë.

Si dhe emërimi i (أيام) “ditëve” si dhe (صيام) “agjërim” është njësoj si të thuash (nevejtu’l-huruxhe jeume’l-xhumu’ati (kam ndërmend të dal jashtë (qytetit) ditën e premte). ( أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ ) ose duke udhëtuar, pra nëse udhëton me një mjet udhëtimi, ( فَعِدَّةٌ ) “le të agjërojë po aq ditë”; obligohet me kompenzimin e atyre ditëve. Ajeti mund të lecohet edhe në nominativb edhe në akuzativ, pra, në tarjtën kallëzore si fe’ideten, që interpretohet si fe’ljesum ‘idden (le të agjërojë ditë të numëruara). Edhe pse ky (agjërimi i ditëve të tjera) është lehtësim për të sëmurin dhe udhëtarin; Gjithashtu është thënë që nga vështirësi e sëmundjes ose udhëtimit është e detyrueshme të mos agjërohet (në Ramazan), por të agjërohet i njëjti numër ditësh në ditët e tjera ( مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ ). Zemahsheriu edhe në këtë interpretim bën një lojë gjuhësore, që filozofia do ta ketë në epiqendër me Witgensteinin, pra i lëviz fjalët e ajeteve për të derivuar kuptimin e vërtetë dhe të përpiktë të tyre.

  1. Opinionet e ndryshme në interpretimin e ajeteve dhe preferenca e tij

Në interpretimin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “…ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të mbrojtur ” (Bekare:183), Zemahsheriu i përmend tre mendime:

Duke u mbështetur në thënien e Aliut r.a. se ky ajet ka për qëllim Pejgamberët dhe popujt që nga Ademi a.s., Aliu (r.a.) Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: “I pari prej pejgamberëve, që agjërimi iu bë obligim, ishte Ademi a.s.”

Edhe ithtarët e librit (hebrenjtë dhe të krishterët) ishin të urdhëruar të agjëronin, por, për shkak se në mesin e ithtarëvë të tyre ndodhën dy vdekje të jashtëzakonshme, andaj ata i shtuan dhjetë ditë para dhe pas Ramazanit për ta bërë atë 50 ditë.

Në lidhje me popujt e mëparshëmpërcillet edhe lajmi se kur erdhi muaji i Ramazanit në periudha të acarit të madh apo vapës së padurueshme, ata kishin shumë vështirësi në udhëtimet dhe përdithsmërinë e tyre jetësore, si rrjedhojë, agjërimin e vendosën mes dimrit dhe pranverës dhe i shtonin 20 ditë si shpagim për ndryshimin e kohës së agjërimit.

Opinioni i Zemahsheriut është seagjërimit duhet kushtuar vëmendje të veçantë nga shkaku se është nja nga ibadetet themelore dhe të lashta dhe ky adhurim e mbron njerioun nga rebelimet dhe e keqja.Opinionin e tij ai e argumenton me hadithin të Pejgamberit a.s.“O ju të rinjë! Kush ka mundësi që të martohet le të martohet, e ai që nuk ka mundësi të martohet le të agjëron, sepse agjërimi për te është mburojë”. (Buhariu, Nikah: 23).Agjërimi është deviza e të devotshmëve, andajduhet zënë vend në grupin e tyre.

  1. Leximet (Kira’at)[4] në interpretimin e ajeteve

Përveç elemeneteve të lartpërmendura, Zemahsheriu, në sqarimet e tij të ajeteve të agjërimit, është ndihmuar edhe nga disa parime të komentit tradicional të Kuranit, siç është rasti me leximet e ndryshme të Kur’anit (kiraat).Ai në interpretimin e ajetit 184 të Sures Bekare: “..nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.”  Çështja se si të kompensohet agjërimi është gjithashtu e diskutueshme. Shumica e studiuesve janë të mendimit që kanë mundësi të zgjedhin (kush dëshiron le të agjëroj ditët njërin pas tjetrit dhe kush dëshiron me distancë midis tyre). Ebu Ubejde b. Xherrah (18/639) thotë: “Allahu të jep leje që të mos agjërosh dhe nuk dëshiron të të detyrojë ta kompensosh atë duke agjëruar ditë për dite pa i ndarë ata.  Nëse dëshironi, agjëroni ato njëra pas tjetrës ose nëse dëshironi veçmas”. Sipas asaj që transmetohet nga Aliu r.a., Ibn Omeri r.a. (v.73/692), Sha’biu (v.104/722) dhe të tjerët, besimtari duhet të kompenzojë agjërimin e lënë pa ndërprerje midis ditëve. Sipas leximit të Ubej b. Kabit r.a. (duhet të agjërojë aq ditë sa nuk ka agjëruar ditë për dite pa i ndarë).

Kurse sipas  leximit të Ibn Abbasit (v.68/688) është: ai lexoi foljen «يطوّقونه» – (jutavvikunehu) që do të thotë (ata që marrin barrë në qafë) ose “bëhen borxhli”. Kjo do të thotë: “detyrim për agjërim” ose detyrimi u vendoset në qafë dhe u bëhet i detyrueshëm.

Kuptimi i ajetit na del në dy mënyra: Kuptimi i  parë është në formën “Ata që agjërojnë”, i dyti është “Agjërimi me vështirësi dhe ngarkesë”, do të thotë “ata që durojnë mundimet”,këta janë pleqtë dhe gratë. Te këta njerëz dispozita është prishja e agjërimit dhe dhënia e fidjes. Prandaj, dispozita është e qëndrueshme dhe nuk është shfuqizuar. Po ashtu, ky mund të jetë edhe kuptimi i shprehjes   “jutikunehu”, domethënë ata që mezi e mbajnë agjërimin edhe pse përpiqen me tërë forcën, fuqinë dhe mundësitë e tyre.

  1. Përdorimi i metodës “El-Fankula” – Pyetje dhe Përgjigje

El-Fankula është një metodë edukative e bazuar kryesisht në shtrimin e problemeve duke supozuar një pyetje dhe pastaj duke iu përgjigjur asaj, që është metoda e pyetjes dhe përgjigjes.Zemahsheriu në tefsirin e tij gjatë komentimit ka ndjekur edhe këtë metodë: “Nëse ti thua…kështu e kështu”, atëherë “unë them…”;[5]

Përdorimi metodës al-Fankala nga Zemahsheriu është përsëritur në dy mijë e pesëqind (2500) vende nga fillimi deri në fund të spjegimit në interpretimin e çdo surje të Kur’anit. Qëllimi i kësaj metode është të emocionojë dhe të motivojë ata që duan të përfitojnë nga tema në fjalë, janë operacione logjike të mbështetura me prova.

Ajeti 185 në Suren Bekare,{ هُدًى لّلنَّاسِ وَبَيِّنَـٰتٍ } “Si udhërrëfyes për njerëzimin dhe prova të qarta (për dallimin e së drejtës nga e gabuara)…” Nëse thua “Çfarë kuptimi ka :prova të qarta të rrugës së drejtë,  pas thënies, udhërrëfyes për njerëzit?” Unë them: Para së gjithash, nëse e kupton se Kur’ani është udhëzues, atëherë do të them se për të gjitha gjërat që Allahu na ka udhëzuar me të në emër të shpalljes së tij dhe të gjithë librat Qiellorë bëjnë dallimin ndërmjet udhëzimit dhe herezisë, dhe për këtë ka dëshmi të qarta.

Sipas ajetit 187 të sures Bekare, Zemahsheriu parashtron pyetjen se nëse ti thua për këtë ajet:  هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَأَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّ “Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato“, unë do të them: Kjo fjalë është apel, pra iniciativë, dhe është si deklarimi i arsyes se përse marrëdhëniet seksuale janë bërë të ligjshme. Kështu, kuptimi i ajetit është: “O burra!” Përderisa ekziston një afërsi dhe marrëdhënie e ngushtë mes jush dhe grave tuaja, durimi juaj ndaj tyre do të jetë minimal dhe do ta keni të vështirë të qëndroni larg tyre. Kjo është arsyeja pse ju lejohet të takoheni dhe të kryeni marrëdhënie me ta.

Përfundim

Duke u bazuar në sqarimet e Zemhasheriut në lidhje me ajetet e agjërimit mujnd të konstatojmë se sipas tij, agjërimi është një përvojë shpirtërore fetare e cila lëviz vazhdimisht ndërmjet arsyes dhe zemrës. Ashtu siç besimi që ka nevojë për arsyetimin mendor, ashtu edhe arsyeja ka nevojë për të qenë e bindur. Në muajin e Ramazanit dhe veçanërisht në procesin e agjërimit arsyeja dhe zemra, më drejtë arsyetimi dhe bindja, e përjetojnë bashkërisht përvojën shpirtërore të qetësisë dhe përkushtimit.

Agjërimi është një nga pesë kushtet e Islamit si dhe një nga pesë shtyllat kryesore që e mbanë në këmbë besimin e myslimanit. Në realitet, agjërimi, është shenjë e besueshmërisë së besimit dhe besnikërisë ndaj Krijuesit dhe në një mënyrë e paraqet verifikimin e pranimit të realitetit bashkërisht me përkushtimin ndaj tij. Agjërimi i ngërthen të tre pjesët kryesore të besimit islam. Ai është një diskurs i qëndresës, pranim me zemër dhe veprim shoqëror. Qëllimi i agjërimit nuk është që njerëzit t’i largojë nga pasionet dhe t’i ndëshkojë ata. Përkundrazi, ai është përgjigje e thellë ndaj thirrjes së Allahut xh.sh., me një besim përplot me pasione. Agjërimi synon që, brenda një kohe të caktuar me impakt të veçantë shpirtëror, njeriut t’ia mundësojë qetësinë e brendshme duke e udhëzuar në kryerjen e obligimeve fetare, përkujtimin dhe mendimin rreth mëkateve dhe botës tjetër. Mirëpo, theksi është në atë se kjo kohë e caktuar duhet të jetë nismë e një procesi i cili do të shpërndahet edhe në njëmbëdhjetë e muajt e vitit. Kjo qëndresë, në të vërtetë, myslimanit ia hap dyert e një ndryshimi dhe zhvillimi shpirtëror që kurorëzohet me qetësi psikologjike. Ajetet e Kur’anit theksojnë se qëllimi kryesor i agjërimit është, që me qëndresë dhe durim aktiv, njeriu të arrijë në gradën më të lartë të besimit, në vetëflijimin për hir të Krijuesit. Me fjalë të tjera sinqeriteti që e mundëson agjërimin është rezultat i dhembshurisë dhe qetësisë në veprimin shoqëror, i ndërtimit të ndiesisë për të dalluar dhe për ta kuptuar të mirën dhe të keqen dhe si rrjedhojë në ndërveprimin e tyre me besimin e myslimanit.

Agjërimi nuk është reaksion por është aksion. E tillë është edhe feja. Ajo, së bashku me të gjitha praktikat e veta, dëshiron që të hap rrugën e të mirës dhe mënjanimin e të keqes nga individi dhe shoqëria. Adhurimi nuk ka karakter të kurimit të prishjeve të ndryshme të baraspeshës shpirtërore, përkundrazi ai ekziston për të vendosur baraspeshën individuale dhe shoqërore. Njeriu nuk agjëron dhe as nuk falet për të shëruar sëmundjet psikologjike, por agjëron ose falet për të krijuar një botë ku nuk do të ketë presion psikologjik. Adhurimi, veçanërisht, nxjerr në pah një vullnet të fortë për edukimin e egos. Procesi i edukimit të egos ecë duke i braktisur të ligat dhe mëkatet dhe duke i përforcuar elementet e qëndrueshmërisë midis zemrës dhe arsyes. Pikërisht për këtë Ramazani mund të konsiderohet si një  mundësi ideale për t’u larguar nga mashtrimi, vjedhja, përgojimi, fodullëku, hipokrizia dhe të ngjashmet.

[1]Këtë nofkë e morri meqë një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij e kaloi në Mekë, pranë Shtëpisë së shenjtë-Qabesë.

[2]Zemahsheri,El Keshafu an hakaiki-t-tenzili ve ujuni-l ekavili fi vuxhuhi-t-te’vili, Darul Kitab el-arabi, Bejrut, 1407 h, vll.1, fq. 286

[3]Nuhas, NasihveMensuh fil-Kuran, botimiI, Muesse el-Kutub eth-Thekafije, Bejrut, 1989, fq. 110.

[4]Kjo shkencë trajton leximet e ndryshme të fjalëve të Kur’anit duke u bazuar në transmetim. Më saktë, vetëm ato dallime, të cilat janë transmetuar të mbështetur në një zinxhir autentik, i cili zgjatet deri tek i Dërguari a.s.

[5]Xhemalijat el-Mufred el-Kuranije, Ahmed Jasuf, Dar Mektebej, Damask, vll.2, 1999, fq.260

MARKETING