Francë, që nga sot ndalohet pirja e duhanit në shumë vende publike

Që nga 1 korriku, pirja e duhanit është ndaluar në shumë zona të hapura në të gjithë Francën, përfshirë parqet, plazhet, stacionet e autobusëve, fushat sportive dhe përreth shkollave dhe bibliotekave, raporton Anadolu.
Megjithatë, pirja e duhanit do të lejohet në stolat publike, nëse ato nuk janë pranë zonave të kufizuara ose nuk kanë tabela “Ndalohet pirja e duhanit”.
Rregullorja e re synon të mbrojë shëndetin publik dhe të pakësojë pirjen e duhanit.
Rikujtohet se Cagnes-sur-Mer, një nga qytetet franceze që nisi ndalimin e pirjes së duhanit, filloi praktikën e ndalimit të duhanit në plazhe në zona të caktuara bregdetare në vitin 2018 dhe që nga viti 2023 i shpalli të gjitha plazhet vende ku ndalohet pirja e duhanit.
Në pamjet e regjistruara shihen njerëz që ecin në hapësira publike, që ulen në stolat në parqe dhe hapësira të gjelbra si dhe tabelat e vendosura me mbishkrimin “Ndalohet pirja e duhanit”.
Ata që shkelin kufizimet do të përballen me një gjobë prej 135 eurosh (158 dollarë). Përgjegjëse për zbatimin e rregullave të reja do të jenë autoritetet lokale.
Franca regjistron afërsisht 75.000 vdekje të lidhura me duhanin çdo vit, duke e shtyrë qeverinë të ndërmarrë veprime më të forta kundër pirjes së duhanit në hapësirat publike.