Francë, 63 për qind e qytetarëve mendojnë se Macron “nuk është një president i mirë”
Sipas një sondazhi të publikuar së fundmi, vlerësimet e popullaritetit të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres Elisabeth Borne kanë rënë për pesë pikë në një muaj e gjysmë, respektivisht në 36 për qind dhe 31 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sondazhi i kryer nga instituti ‘Odoxa’ tha se pothuajse dy të tretat e të anketuarve francezë apo 63 për qind e tyre besojnë se Macron “nuk është një president i mirë i Republikës”, ndërsa 66 për qind deklaruan se Borne “nuk është një kryeministre e mirë”.
Sipas sondazhit, ky është vlerësimi më i ulët i popullaritetit të kryeministres Borne që kur ajo mori detyrën muajin maj të vitit të kaluar.
“Kjo pikë e ulët nuk u arrit kurë nga paraardhësi i saj Jean Castex”, theksoi instituti ‘Odoxa’.
Sondazhi thotë se gjithsej 64 për qind e të anketuarve besojnë se “nëse do të kishte bllokada të mëdha në vend për shkak të mobilizimit kundër reformës së pensioneve” qeveria do të mbante përgjegjësinë kryesore. Vetëm 35 për qind e të anketuarve thanë se sindikatat do t’i konsideronin përgjegjëse.
Por sipas autorëve të sondazhit, “realisht askush nuk përfiton nga pakënaqësia për reformën e pensioneve”.
Politikani më popullor në Francë është Edouar Philippe, kryebashkiaku i qytetit Le Havre, i cili mori miratimin e 36 për qind të të anketuarve.
Philippe kryeson partinë e qendrës së djathtë ‘Horizons’, e themeluar në vitin 2021. Partia e tij ishte pjesë e Ansamblit të aleancës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, ku përfshihet edhe ‘La Republique En Marche’ e presidentit Macron.