Franca miraton ligjin që zgjat ndalimin e shtetasve të huaj “të rrezikshëm” nga 90 në 210 ditë

Parlamenti i Francës ka miratuar një ligj të ri që zgjat periudhën maksimale të ndalimit administrativ nga 90 në 210 ditë për shtetasit e huaj që konsiderohen “të rrezikshëm” dhe presin deportim, transmeton Anadolu.
Siç raportojnë mediat lokale, projektligji u miratua në një votim përfundimtar në Senat, dhomën e sipërme të parlamentit, me 228 vota pro dhe 108 kundër. Më herët, projektligji është miratuar nga Asambleja Kombëtare, që do të thotë se tani ka tejkaluar të gjitha pengesat legjislative.
Më parë, shtetasit e huaj në procedurat e deportimit mund të mbaheshin në qendrat e paraburgimit administrativ për një maksimum 90 ditë. Ligji i miratuar së fundmi e zgjat këtë periudhë në 210 ditë për ata që konsiderohen të rrezikshëm, duke e përafruar atë me limitin ekzistues për individët e dënuar për terrorizëm.
Ministri francez i Punëve të Brendshme, Bruno Retailleau në llogarinë e tij në platformën X përshëndeti miratimin e projektligjit, duke e quajtur atë një “hap të madh përpara”.
Masa është pjesë e përpjekjeve më të gjera të qeverisë franceze për të shtrënguar kontrollet e imigracionit dhe për të rritur efikasitetin e deportimeve, veçanërisht ato që përfshijnë individë të konsideruar si kërcënim për sigurinë.