Franca: Lejimi i ndihmës humanitare në Gaza është “detyrim”

Franca: Lejimi i ndihmës humanitare në Gaza është “detyrim”

Franca ka deklaruar se hyrja e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, ku vazhdojnë sulmet izraelite, është një detyrim, transmeton Anadolu.

“Hyrja e ndihmave humanitare në Gaza, sigurimi i qasjes së plotë dhe përmbajtja nga shënjestrimi i organizatave të ndihmës që punojnë për të ofruar këtë ndihmë është një detyrim”, tha Christophe Lemoine, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, në një konferencë të rregullt për media.

Lemoine theksoi se Franca vazhdon të kërkojë një armëpushim në Gaza, fundin e sulmeve izraelite dhe lirimin e të gjitha pengjeve. Ai gjithashtu tha se Franca dënon operacionet e rifilluara ushtarake izraelite pas thyerjes së armëpushimit të muajit janar.

Së fundmi, dy organizata të mëdha humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po përballet me rrezikun e kolapsit total për shkak të bllokadës së Izraelit të vendosur që nga 2 marsi.

– Ministrat e jashtëm të BE-së takohen në Kiev më 9 maj

Duke folur për luftën në Ukrainë, Lemoine tha se dëshira për t’i dhënë fund konfliktit ndahet jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga evropianët dhe ukrainasit.

Lemoine tha se tani i takon Rusisë t’i përgjigjet këtyre përpjekjeve, si dhe theksoi se garancia e parë dhe kryesore e sigurisë për Ukrainën është aftësia e saj e vazhdueshme për të mbrojtur veten.

“Vetëm një ushtri e fuqishme ukrainase mund të krijojë një linjë të fortë të mbrojtjes. Ky është themeli i garancive të sigurisë”, tha ai.

Sipas tij, armëpushimi do të ishte një hap i domosdoshëm drejt arritjes së një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, pas së cilës, siç tha ai, fokusi duhet të zhvendoset në strukturën e një plani të paqes dhe në natyrën e garancive të sigurisë që ai plan sjell.

Lemoine gjithashtu njoftoi se ministrat e jashtëm evropianë do të mblihen në Kiev më 9 maj, kur Rusia shënon Ditën e Fitores në përkujtim të humbjes së forcave naziste në vitin 1945.

MARKETING